Rama: “Barazi gjinore jo vetëm në Parlament, por në çdo hallkë të shtetit”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zbardhi dje disa aspekte që programi i ri qeverisës i PS-së parashikon në lidhje me integrimin e gruas shqiptare në jetën publike e në vendimmarrje.
Rama u shpreh në mbrëmje, gjatë një takimi masiv me gra dhe vajza të kryeqytetit, se do të ishte i paplotë i gjithë ky proces nëse socialistët do të krijonin kushtet vetëm të një barazie në Parlament, e nuk do ta shoqëronin këtë hap me hapa të tjerë, që ndikojnë direkt në jetën e çdo gruaje shqiptare, e si rrjedhojë, në jetën shoqërore të Shqipërisë. “Vendosja e grave në kushte të barabarta me burrat, për t’u dhënë mundësi që të marrin pjesë në jetën politike, është vetëm njëri nga aspektet. Ndaj ne nuk duhet të pranojmë që ky është i vetmi aspekt. Se, edhe sikur të shkojmë në një barazi të plotë të pjesëmarrjes së grave në Parlament, do të ishte e pamjaftueshme nëse nuk do shtrihej kjo gjë në të gjitha nivelet e pushtetit në Shqipëri. Nuk do ishte e mjaftueshme në rast se nuk do hiqeshin pengesat diskriminuese që hasin vajzat e gratë kur duan të japin kontribut në administratën shtetërore të këtij vendi, apo në rast se nuk krijohen kushte të reja për gratë dhe vajzat me talent sipërmarrës. Për këtë arsye PS-ja ka qenë e fokusuar që në planin qeverisës të flitet për politika që krijojnë jo vetëm mundësinë për të ushtruar të drejtën e përfaqësimit, por edhe të krijojë perspektivë për lirinë ekonomike të grave. Në këtë takim merrte pjesë koordinatorja kombëtare e Gruas Socialiste të Shqipërisë, Ermira Danaj, ndërkohë që merrnin pjesë gjithashtu edhe shumë politikane gra, drejtuese të forumeve politike të grave të disa prej partive kryesore europiane të majta.
30 Prill 2009