E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Berisha shtyhet “përballja” në Gjykatën e Lartë

TIRANE- Gjykata e Lartë e shtyu për në datën 26 maj 2011 përballjen mes kryesocialistit dhe kandidatit të PS-së për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama me kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Dy kundërshtarët politikë po vazhdojnë prej javësh një “betejë” në Gjykatën e Lartë, pasi kryesocialisti kërkon shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme për pushimin e procedimit penal ndaj Sali Berishës. Rama e kishte kallëzuar kryeministrin për akuzën e “shpifjes”, duke pretenduar se akuzat e artikuluara prej tij në Kuvend në nëntor të 2010-ës nuk janë gjë tjetër, veçse shpifje. Prokuroria vendosi mosfillimin e procedimit ndaj kryeministrit, pasi vlerësoi se deklaratat e tij nuk janë vepër penale. Dje pritej që Gjykata e Lartë të jepte vendimin lidhur me faktin nëse ankimi i kryesocialistit ndaj vendimit ishte paraqitur apo jo brenda afatit ligjor. Por mungesa e një anëtari të Kolegjit Penal, si dhe e avokatëve të Ramës, të cilët kishin probleme familjare, bëri që seanca mos të zhvillohej dhe përballja mes dy liderëve të shtyhej pas zgjedhjeve.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›