E Shtunë, 31 Tetor 2026

Save the Children Shqipëria e fundit sa i përket gjendjes së gruas

TIRANË- Gjendja e grave dhe në vecanti e nënave në Shqipëri, le ende për të dëshiruar, pavarësisht arritjeve dhe zhvillimit të vendit. Kështu thuhet në raportin më të fundit të publikuar nga organizata ndërkombëtare “Save the Children”. I quajtur “Indeksi i nënës”, sipas të cilit vendi ynë renditet i fundit në listën e vendeve të zhvilluara, sa i përket gjendjes së nënave shqiptare. Në këtë raport, ku përfshihen 164 vende, Shqipëria renditet në pozicionin e 43-të, dhe njëkohësisht e fundit në grupin e vendeve të zhvilluara, pas vendeve të tjera të rajonit si Maqedonia, Serbia, Bosnja, Rumania, Bullgaria, etj.

Konkretisht në raport thuhet se vetëm 22 për qind e femrave përdorin metodat kontraceptive, ndërsa numri mesatar i viteve të arsimit të femrave shqiptare është vetëm 11 klasë. Po kështu vihet në dukje edhe pjesëmarrja e ulët, vetëm 16 për qind në qeverisje.

Sipas raportit, cdo ditë në botë, një mijë nëna dhe dy mijë fëmijë vdesin nga komplikacionet gjatë procesit të lindjes. Po kështu, 48 milionë gra në mbarë botën lindin një fëmijë pa asnjë ndihmë profesionale dhe në vetmi, pa asnjë anëtar të familjes pranë tyre. Raporti rendit Norvegjinë të parën, si vendin ideal për nënat ndërsa Afganistani renditet i fundit.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›