Rama: Berisha dha mesazhe për arkivimin e çështjes së Metës. Pas 100 vitesh pavarësi, ne nuk kemi barazi para ligjit
Kryetari i PS bën apel për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Rama kritikon mënyrën se si ka zgjedhur qeveria të festojë për 100 vjetorin e pavarësisë, duke thënë se opozita ka një plan të sajin. Rama: Pas 100 vitesh shtet ne nuk kemi fituar akoma votën e lirë. Në fund Rama bën thirrje për qytetarët që të marrin pjesë në homazhet e 21 janarit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në mbledhjen e parë të grupit parlamentar për këtë vit, dha mesazhe për çështjen e Metës, foli për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë dhe për 21 janarin.
Fillimisht ai u shpreh ashpër kundër gjesteve të fundit të kryeministrit Berisha, i cili po jep mesazhe ndaj drejtësisë që të mos dënojë Ilir Metën. Kryeministri dëshmoi egërsinë ndaj pushtetit të drejtësisë në intervistën e parë për këtë vit. Ai ka goditur me një gjuhë mafioze prokurorinë dhe ka paralajmëruar arkivimin e çështjes.
Ne kemi mbajtur qëndrimin e çdo force politike evropiane. Tani është koha për të thënë se pas 100 vjetësh pavarësi, Shqipëria nuk ka asnjë barazi para ligjit dhe është ngritur kultura e pandëshkueshmërisë.
Ne jemi të vendosur ta udhëheqim Shqipërinë në rrugën e Europës, tha Rama.
Kreu i PS deklaroi se pas 100 vitesh shtet, shqiptarët ende nuk kanë fituar votën e lirë. Për këtë arsye, Rama tha se ky vit do i dedikohet luftës për votën e lirë.
Ne e duam Shqipërinë si gjithë Europa ndaj luftuam dy vite me mundim e sakrifica për votën e lirë. Koha dhe vjedhja në dritën e diellit e votave në Tiranë na dhanë të drejtë. Jemi rikthyer në rrugën e ndërtimit të një politike të re. Tek zgjidhja e problemit të zgjedhjeve shikojmë vijën ndarëse mes Shqipërisë dhe Europës, tha Rama.
Nëse në 100 vjet shtet nuk kemi arritur të mos japim të drejtën e votës, ne do e kthejmë këtë vit në vitin e ndarjes nga zgjedhjet e vjedhura. Duam reformën zgjedhore që të adresojë çdo rekomandim dhe të realizohet brenda afateve. Duam të zgjidhet problemi që të mos votohet disa herë nga një person.
Rama ka kërkuar që Berisha të pranojë kërkesën e opozitës për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Duam një reformë zgjedhore që të adresojë rishikimin e sistemit. Me këtë kuptojmë përmirësimin e tij, qoftë duke prekur Kushtetutën. Palës tjetër i kujtoj se ka deklaruar se do pranojë çdo propozim të opozitës për sistemin. Unë i bëj sot apel për ta marrë parasysh ndryshimin e sistemit, tha Rama.
Ndërsa duke folur për ligjet me 3/5-at, Rama tha se opozita kërkon që të përgatiten ligje cilësore, jo arnime.
Draftet e përgatitura nga qeveria janë si batanije të vjetra ushtarake të mbushura me arna. Spikeres së Kuvendit i them merre shtruar. Mos keni merak se po prishim marrëveshjen me ju, se ne marrëveshjen nuk e kemi me ju, por me shqiptarët që duan Europën, tha Rama.
Lideri i opozitës po ashtu foli për situatën ekonomike në vend.
Ky 100 vjetor e gjen Shqipërinë në krizë ekonomike. Pasuria kombëtare sulmohet çdo ditë nga një qeveri grabitqare e dalë nga vota e vjedhur. Ky vit simbolik është viti i programit për të rimëkëmbur ekonominë. Ne do ua tregojmë gjatë gjithë vitit se si do e rimëkëmbim ekonominë. Do bëjmë që kush fiton më shumë, paguan më shumë. Duam të tregojmë se çfarë kemi mësuar nga gabimet tona të së shkuarës. Ne do ua tregojmë të gjitha këto me zemër të hapur e modesti, tha Rama.
Kreu i PS ka rezervuar kritika për mënyrën se si ka zgjedhur qeveria të festojë 100 vjetorin, duke thënë se po festohet si në komunizëm.
Do kontribuojmë për festimet e 100 vjetorit me një plan tonë, kur të shohim sa qesharake e komuniste janë festimet e qeverisë, tha Rama.
Në fund Rama ka bërë ftesë për shqiptarët që të marrin pjesë në homazhin e 21 janarit. Mos harroni 21 janarin. Ne nuk do e harrojmë derisa të bëhet drejtësia, derisa të lehtësohen plagët e atyre familjeve. I përsëris apelin prokurorisë që të mos tërhiqet nga dhënia e drejtësisë, pavarësisht kërcënimeve dhe gjurmëve apo provave të fshira. Vrasësit janë të lirë dhe urdhëruesit vazhdojnë të sundojnë. Për këtë 21 janar ne do bëjmë ceremoninë e përvjetorit të parë të ndarjes së tyre nga jeta, një homazh ku janë të mirëpritur të gjithë. Natyrisht edhe në kujtim të drejtësisë së munguar, tha Rama.