E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Statusi përgjegjësi e PD-së

07/03/2012  Integrimi në BE, kreu socialist drejton gishtin për dështimin te mazhoranca qeverisëse

“I kam thënë Fyles se integrimi nuk është pjesë e lojës politike, por angazhim”

Procesi i integrimit dhe roli i Partisë Socialiste në të ishte kryefjala e ligjëratës së gjatë të kryetarit të socialistëve Edi Rama përpara ligjvënësve të kësaj partie. Kështu, duke mos u ndalur në shkëmbimin e replikave në distancë mes tij dhe Kryeministrit Berisha, kryetari socialist listoi të gjitha veprimet e Partisë Socialiste përkundrejt axhendës parlamentare, e lidhur kjo ngushtësisht me procesin e integrimit të vendi. Por ky proces, duke pasur si çështje kyçe pikërisht miratimin e ligjeve me 3/5-at, Rama përmes ironizimit të deklaratave të Kryeministrit sqaroi në detaje qëndrimin e partisë së tij përballë këtyre ligjeve.

Ligjet me 3/5-at

“Angazhimi ynë në miratimin e ligjeve me 3/5-at ishte serioz, jo thjesht se vetë miratimi i ligjeve që kërkojnë të votohen me 3/5-at është kërkesë e vënë nga Bashkimi Evropian, por sepse këto ligje përbëjnë një bazë të rëndësishme për zgjidhjen e problemeve që mbart realiteti shqiptar dhe për ne ishin një mundësi e shfrytëzuar plotësisht për të ndërhyrë në to, në funksion dhe të vizionit që kemi për shtetin dhe funksionim e tij”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij. Në vlerësimin e tij procesi në fjalë dëshmoi se qeveria nuk ka një vizion të qartë për këto reforma integrale dhe as për domosdoshmërinë e qëndrueshmërisë në afat të gjatë të të gjitha ndërhyrjeve me këtë karakter të ligjvënies. Por siç është deklaruar, tashmë sfida e radhës është Gjykata Administrative. Ndalur në këtë çështje, e zvarritur prej një kohë të gjatë, Rama bëri me dije se “kemi përgatitur shumë seriozisht qysh prej nëntorit, me një grup të konsiderueshëm ekspertësh qëndrimin e PS-së, lidhur me atë se si duhet që ligji për Gjykatën Administrative të jetë në standardet ndërkombëtare dhe Gjykata Administrative të kthehet në institucionin që i duhet shtetit dhe u duhet shtetasve shqiptarë”.

Statusi

“Statusi është aty, por është Kuvendi, është qeveria dhe pastaj, sigurisht, vjen edhe opozita në nevojën për të plotësuar një për një të gjitha rekomandimet e bëra, varet nga Shqipëria, varet nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve”, - u shpreh Rama lidhur me përgjigjen që pret vendi ynë nga BE-ja për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në këtë kontekst, kryetari i socialistëve bëri me dije raportimet e bëra nga vetë ai te përfaqësuesit e lartë të Brukselit zyrtar. “Ua kam bërë të qartë qysh në nëntor, komisionerit Fyle në takimin e nëntorit në Bruksel, ashtu sikundër ua kam bërë të qartë në vijimësi të gjithë përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri se për ne statusi i kandidatit për vendin nuk është pjesë e lojës politike, nuk është pjesë e përpjekjes së brendshme mes forcave politike, por është pjesë e vizionit dhe e angazhimit tonë në emër të interesave kombëtare të vendit dhe në emër të të gjithë shqiptarëve që e meritojnë statusin e kandidatit prej kohësh, por që janë privuar, fatkeqësisht, prej së drejtës për ta pasur këtë status për shkak të mosrealizimit të një pjese dërrmuese të prioriteteve të vendosura nga Bashkimi Europian në vite”, - vuri në dukje Rama. Në gjykimin e kryetarit të socialistëve integrimi në BE lidhet më së shumti me procesin qeverisës. “E rëndësishme është lufta kundër krimit, lufta kundër korrupsionit, lufta për të pasur një sistem drejtësie funksional, ku drejtësia jepet dhe nuk shitet apo blihet, lufta për të garantuar një tërësi standardesh të prekshme për çdo qytetar të këtij vendi dhe jo thjesht për t’i shkruar ato në ligje. Gjithsesi, opozita në këtë proces ka vetëm një gjë në dorë: të marrë pjesë në shkrimin e këtyre ligjeve dhe ta bëjë këtë me të gjithë energjitë e saj morale dhe profesionale”, - deklaroi Rama.

Reforma zgjedhore

“E konsideroj qesharake dhe madje të turpshme retorikën e Kryeministrit për ndryshimet që ne futëm në Kod lidhur me krimin zgjedhor. Kryeministri propagandoi me zë të lartë se rritja e dënimeve për krimin zgjedhor ishte një synim yni, se gjoja donim të dënonim komisionerët socialistë”, - u shpreh Rama mbi këtë pikë të Kodit Zgjedhor.

Kontributi i PS-së

“Roli i opozitës parlamentare është çmuar me nota shumë pozitive prej tyre dhe konsiderohet si një kontribut i vyer, që duhet të konsolidohet edhe më tutje në funksion të integrimit europian të vendit. Fatkeqësisht, të vetmit që jo vetëm nuk pranojnë ta shohin këtë të vërtetë në sy, janë kundërshtarët tanë politikë me Kryeministrin në ballë”, - u shpreh Rama.a

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›