E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha ende në shekullin e kaluar

17/06/2009  Kreu socialist takime elektorale për të konkretizuar akuzat ndaj kryeministrit

“Stacioni i trenit në Elbasan është shembulli i një keqqeverisje”

Kreu i Partisë Socialiste ka zgjedhur tashmë që t’i konkretizojë në terren akuzat dhe kritikat ndaj kreut të ekzekutivit Sali Berisha. Kështu, në kuadër të fushatës elektorale, Rama u rikthye në qytetin e Elbasanit, por kësaj radhe për të zhvilluar një takim pranë stacionit të trenit të këtij qyteti, duke dashur në këtë mënyrë që t’u vërtetojë banorëve të këtij qyteti se vlerësimi për Kryeministrin Berisha për prapambetje dhe imazhe të shekullit të kaluar, është më se i qëndrueshëm. Qëndruar në këtë gjykim mbi figurën e Kryeministrit Berisha, kreu socialist jo rastësisht zgjodhi stacionin e trenit për të deklaruar hapur se një stacion i tillë është shembulli tipik i kësaj prapambetje. “Jemi këtu për të treguar shembullin e një keqqeverisjeje. Sali Berisha erdhi në Elbasan për të ripremtuar ripërtëritjen e këtij stacioni mjaft të rëndësishëm për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë, por qëndroi në rrugën e vjetër të një transporti që tregon akoma prapambetjen dhe imazhin e shekullit të kaluar”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij në takimin e organizuar pranë këtij stacioni me banorë të qytetit të Elbasanit. Ndërkohë, duke vijuar me tej në kundërvënien e tij ndaj Kryeministrit Berisha, kryetari i PS-së u ndal në kërkesën drejtuar kreut të mazhorancës për të shpjeguar atë çfarë po ndodh me pasurinë kombëtare. “Nga ana tjetër, Sali Berisha duhet t’u shpjegojë qytetarëve të Elbasanit lidhur me keqadministrimin e një pasurie, duke filluar nga humbjet e Buxhetit të Shtetit dhe pronat tona të përbashkëta në fusha, plazhe, kodra, male, pyje, të cilat janë trajtuar si një pronë pa zot, që janë bërë copë e çikë nga korrupsioni i kësaj qeverie”, - nënvizoi Rama sa i takon kësaj çështjeje. Nga ana tjetër, kreu socialist premtoi jo vetëm përmirësimin e një situate të tillë, por dhe zgjidhjen përfundimtare të saj pas fitores në 28 qershor. “Ne jemi këtu për të dëshmuar këtë prapambetje të madhe të kësaj pjese kaq të rëndësishme për këtë qytet, i cili pas 28 qershorit do të jetë në vëmendjen tonë dhe bashkë me qytetarët do ta kthejmë Elbasanin në një qytet me një perspektivë të re, në një qytet me rrugë të reja dhe zhvillim, pasi Elbasani meriton më shumë”, - vlerësoi Rama. Nga ana tjetër, në një miting organizuar në qytetin e Burrelit, Rama ka zgjedhur të prek çështjen e analfabetizmit, si një përgjigje për qindra mijë familje që nuk çojnë dot fëmijët në shkollë. “Ndërkohë që ne flasim për papunësinë e skajshme të Veriut të vendit, ndërkohë që ne flasim për mungesën e librave dhe të shkollave, për fëmijët e Veriut të Shqipërisë, ku analfabetizmi po bën kërdinë çdo vit, ai zotëri bashkë me të zotin e tij, me Sali Berishën, e morën vesh vetëm dy javë më parë se librat e shkollës shiteshin dhe nuk faleshin për fëmijët e varfër. Dhe pse e morën vesh? E morën vesh sepse erdhi fushata elektorale! Ndërkohë që një vit rresht u kemi kërkuar që t’ua japin falas librat fëmijëve dhe një vit rresht thoshin se gënjen opozita. Këta do të votoni ju?!” - deklaroi Rama gjatë fjalës së tij. Për këto arsye, Rama ka bërë apel nga Burreli që të gjithë shqiptarët të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke votuar ndryshimin e madh më 28 qershor.

Fushata

Kryetari i Partisë Socialiste ka vijuar dhe dje takimet e tij intensive në kuadër të fushatë elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kështu, pas takimit që organizoi në stacionin e trenit në Elbasan, kreu socialist është drejtuar për në Ballsh, Mallakastër, për të lëshuar jo vetëm premtimet e partisë që ai drejton, por dhe për të kërkuar nga banorët e këtyre zonave votën për të bërë të mundur ardhjen në pushtet të PS-së.

Qëndrimi

“Jemi këtu për të treguar shembullin e një keqqeverisje. Sali Berisha erdhi në Elbasan për të ripremtuar ripërtëritjen e këtij stacioni mjaft të rëndësishëm për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë, por qëndroi në rrugën e vjetër të një transporti që tregon akoma prapambetjen dhe imazhin e shekullit të kaluar. Pas 28 qershorit ai do të jetë në vëmendjen tonë dhe bashkë me qytetarët e Elbasanit do ta kthejmë në një qytet me një perspektivë të re, në një qytet me rrugë të reja.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›