E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria ende mbetet vendburim për trafikun njerëzor

17/06/2009  Raporti i Departamentit të Shtetit përmend përpjekje për të eliminuar, por s’ka standarde

TIRANË- Në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit të ShBA-ve theksohet qartazi se Shqipëria është një vend burim për burra, gra dhe fëmijë të trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar, përfshi lypjen e detyruar. Duke e renditur vendin tonë në grupin e dytë për sa i përket nivelit të trafikimit të personave, ku raport përcakton se viktimat shqiptare trafikohen kryesisht në Greqi, si dhe në Itali, Maqedoni, Kosovë, Spanjë, Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore, si dhe brenda në Shqipëri.

Të trafikuarit

Të dhënat në dispozicion tregojnë se më shumë se gjysma e viktimave të trafikimit janë nën moshën 18 vjeç. Shumica e viktimave të trafikimit janë gra dhe vajza të moshës 15 deri 25 vjeç dhe 90 për qind janë shqiptare etnike. Fëmijë etnikë romë janë në rrezik më të madh për lypje të detyruar. Ekzistojnë të dhëna që burra shqiptarë janë trafikuar për punë të detyruar në sektorin bujqësor në Greqi dhe vende të tjera fqinje.

Dështimi e rekomandimet

Gjithashtu në raport theksohet se Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta bërë këtë. Qeveria demonstroi vullnet politik në rritje për të luftuar trafikimin njerëzor gjatë vitit të kaluar, sidomos nëpërmjet përparimit të bërë në përpjekjet e saj për të identifikuar viktima të trafikimit. Mbeten shqetësime lidhur me nëse qeveria ndoqi penalisht energjekisht kundërvajtës të trafikimit të punës dhe zyrtarë publikë që morën pjesë apo lehtësuan trafikimin njerëzor. Në rekomandimet për Shqipërinë përfshihet: Të hetojë dhe ndjekë penalisht zyrtarë ligjzbatues, të cilët marrin pjesë në trafikim; të ndjekë penalisht energjikisht kundërvajtës të trafikimit të punës; të vazhdojë të punojë me OJQ dhe shoqërinë civile për të siguruar zbatimin e plotë të mekanizmit kombëtar për referimin e viktimave tek ofruesit e shërbimeve; të vazhdojë të financojë shërbime për ndihmën dhe mbrojtjen e viktimave, përfshi strehët, si dhe të përmirësojë programet ekzistuese parandaluese në bashkëpunim me OJQ, përfshi veprimtari të përbashkëta që synojnë uljen e kërkesës për trafikim njerëzor. Qeveria e Shqipërisë bëri njëfarë përparimi në përpjekjet e saj ligjzbatuese kundër trafikimit gjatë vitit 2008. Shqipëria ndalon me ligj trafikimin seksual dhe të punës me anë të Kodit Penal, i cili parashikon ndëshkime pesë deri në 15 vjet burgim. Këto ndëshkime janë mjaftueshëm shtrënguese dhe kapërcejnë ato të parashikuara për përdhunimin. Gjatë vitit 2008, Shqipëria ndoqi penalisht 22 çështje trafikimi, krahasuar me 49 në vitin 2007, si dhe dënoi 26 kundërvajtës trafikimi, krahasuar me shtatë gjatë vitit 2007. Të gjitha ndjekjet penale dhe dënimet kishin të bënin me trafikimin seksual të grave apo fëmijëve. Në vitin 2008, dënimet për kundërvajtësit e dënuar të trafikimit variuan nga dy deri në 25 vjet burgim. Qeveria ndërmori trajnim rutinë kundër trafikimit për rekrutët e policisë dhe oficerë ekzistues të policisë, si dhe organizoi trajnime shtesë për gjyqtarët dhe ofruesit e shërbimeve sociale. Në një përpjekje ndërgjegjësimi kundrejt viktimave të mundshme femra, qeveria caktoi 20 oficere policie femra kundër trafikimit pranë njësive të policisë për krimin e organizuar anembanë vendit. Korrupsioni i kudogjendur në të gjitha nivelet dhe sektorët e shoqërisë shqiptare mbeti një pengesë ndaj uljes së trafikimit njerëzor në Shqipëri. Qeveria raportoi se rastet e përfshirjes së zyrtarëve referuar në raportin mbi vitin 2008 u përcaktuan se kishin të bënin me kontrabandë, jo trafikim njerëzor.

Parandalimi

Qeveria e Shqipërisë përforcoi përpjekjet për t’u ofruar viktimave të trafikimit mbrojtje dhe ndihmë gjatë vitit 2008. Zyrtarët përmirësuan funksionimin e mekanizmit kombëtar të referimit të viktimave dhe, si rrjedhojë, identifikuan 108 viktima të trafikimit gjatë vitit 2008, një rritje pesëfish krahasuar me vitin e mëparshëm. Qeveria ofroi afërsisht 262,000 USD financime për strehën e kujdesit për viktimat të administruar nga qeveria, një rritje prej 16 përqindësh krahasuar me vitin e mëparshëm; ofroi edhe ndihmë me raste në natyrë, të tillë si përdorimi i ndërtesave dhe tokës qeveritare për katër streha të administruara nga OJQ. Qeveria nxiti viktimat të merrnin pjesë në hetime dhe ndjekje penale të kundërvajtësve të trafikimit; megjithatë, viktimat shpesh refuzuan të dëshmonin, ose ndryshonin dëshmitë si rrjedhojë e kanosjeve nga trafikantët apo frikës nga kanosjet. Viktimat nuk u penalizuan në Shqipëri për akte të paligjshme si rezultat i drejtpërdrejtë i trafikimit të tyre. Ligji shqiptar ofron alternativa ligjore për largimin e viktimave të huaja në vende ku ato mund të përballen me vështirësi apo ndëshkim.

Sipas raportit

Viktimat e trafikut njerëzor

Gjatë vitit 2008, Shqipëria ndoqi penalisht 22 çështje trafikimi, krahasuar me 49 në vitin 2007, si dhe dënoi 26 kundërvajtës trafikimi, krahasuar me shtatë gjatë vitit 2007. Të gjitha ndjekjet penale dhe dënimet kishin të bënin me trafikimin seksual të grave apo fëmijëve. Në vitin 2008, dënimet për kundërvajtësit e dënuar të trafikimit variuan nga dy deri në 25 vjet burgim. Në një përpjekje ndërgjegjësimi kundrejt viktimave të mundshme femra, qeveria caktoi 20 oficere policie femra kundër trafikimit pranë njësive të policisë për krimin e organizuar anembanë vendit. Të dhënat në dispozicion tregojnë se më shumë se gjysma e viktimave të trafikimit janë nën moshën 18 vjeç.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›