E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha gënjen, kërkesa jonë ska lidhje me gjykatën

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i është kundërpërgjigjur ftesës por dhe akuzave të bëra dje nga Kryeministri Sali Berisha nga salla e Parlamentit. Në një konferencë për shtyp në orët e mbrëmjes ai renditi arsyet pse Berisha duhet të pranojë kërkesat e socialistëve ndërsa pohoi se komentet e Berishës janë thjesht ëndrra sepse hapja e kutive nuk ka asnjë lidhje me hapjen e kutive. “Të të vijë turp që i thua opozitës se nuk e do Evropën.
Shqipëria ishte në rrugën e integrimit në NATO dhe BE, e çove në humnerën e piramidave, duke e vonuar një dhjetëvjeçar rifillimin e rrugës së saj drejt NATO e BE. Kurse sot, je përgjegjësi kryesor për vonesën e pajustifikueshme të Shqipërisë që ka mbetur e fundit në Evropë, qoftë për heqjen e vizave, që na e kaloi edhe Serbia, qoftë edhe për aplikimin për tu bërë kandidat, ku kemi mbetur bashkë me Serbinë. Sepse Serbia ka kriminelë lufte të pa dorëzuar, kurse ne të kemi ty në krye të një qeverie të kthyer në kompani fitimprurëse për familjen tënde e për oborrin e shërbëtorëve të tu”, - tha Rama duke kundërshtuar dhe argumentet për vendimin e gjykatës. “Të të vijë turp që iu tregon shqiptarëve broçkulla se gjykata nuk të lejon të hapësh kutitë. Gënjeshtra janë edhe ato të mikut tënd të huaj që të ka thënë, mos hap kutitë. Kërkesa jonë nuk ka të bëjë me gjykatën. Mos u kap pas mikut të huaj që ke parë në ëndërr, por kij parasysh se mund të rrëzohesh bashkë me pushtetin tënd”, - deklaroi Rama. Me tej, ai u përqendrua në akuzat personale duke pohuar se ai për asnjë moment nuk ka gënjyer apo shpifur por ka thënë vetëm të vërtetën. “Mua ti më ngatërron me veten tende. Unë nuk kam shpifur kurrë ndaj teje, por do vazhdoj të them se familja jote vazhdon të përfitojë nga pushteti. Ti e ke futur vendin në një qeverisje që vepron në bazë të interesave të familjes tende”, - tha ai. Rama foli edhe për deklaratën e ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili për shmangien e grumbullimeve masive për shkak të gripit të derrave, duke e konsideruar si tentativë të Qeverisë për të trembur qytetarët. “Sot kjo Qeveri që mund të quhet pushtet derrash të kënaqur, arriti të përdorë ministrin e Shëndetësisë, dhe e nxjerr nëpër televizione ku të bënte lidhjen idioteske mes protestës së opozitës dhe rrezikut të përhapjes së gripit të derrave”, - u shpreh Rama ndërsa ritheksoi se protesta e madhe e opozitës është manifestimi i të gjithë atyre, që siç tha ai, nuk duan të jetojnë nën regjimin e keqqeverisjes dhe korrupsionit. “Protesta e nesërme është protesta e Shqipërisë që nuk ushqehet në tryezën e familjes në pushtet. Protesta e nesërme do të jetë një manifestim paqësor e qytetar, shprehje e jashtëzakonshme e frymës demokratike që karakterizon opozitën”, - tha kreu i opozitës përpara mediave.
Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›