E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha një i humbur që ka humbur mendjen

Edi Rama reagoi dje, pak orë pas akuzave të ashpra personale të Kryeministrit Sali Berisha ndaj tij. Në ndryshim nga Kryeministri, i cili përmendi të gjithë anëtarët e familjes së kreut të opozitës, por këtë herë më i ashpër se kurrë më parë, kryesocialisti zgjodhi t‘i përgjigjej duke i kujtuar gjithë shqetësimet e problemet që has sot vendi për shkak të keqqeverisjes së tij. Në reagimin e tij, Rama vuri në dukje se Berisha vuan nga shëndeti mendor, ndërsa po tenton të fshehë të vërtetën e zgjedhjeve, duke sulmuar familjen e tij. Rama tha se nuk mund të ulet në të njëjtin nivel dhe t‘i përgjigjet me të njëjtën gjuhë Sali Berishës, por do të jetë populli opozitar ai që do të tregojë se cili është vullneti i të gjithëve.

"Në prag të një feste të madhe fetare, Berisha hyri në shtëpitë e tyre me shpifje dhe sharje me libër shtëpie e shoqërie dhe më tej akoma me akuza monstruoze për krime dhe kriminelë. Jo vetëm kaq, por kërcënoi opozitën e median opozitare. Nuk do hyja sot në ekranet tuaja pas tij e aq më pak të bëj replika pas tij. Prej dhjetë vjetësh Sali Berisha përmend familjen time. Vendosa të reagoj sot, se dua të ndaj me të gjithë ju shqetësimin për shëndetin mendor të njeriut që drejton Shqipërinë", theksoi Rama, ndërsa nxitoi të theksonte problemet që sot has vendi. "Shqipëria është në udhëkryq, demokracia në rrezik, shteti i së drejtës ka rënë, ekonomia shqiptare po falimenton. Koha që i dhamë për reflektim Sali Berishës, e ktheu në kohë për tërbim. Kërkesa për hapjen e kutive është një vullnet i madh popullor, ndaj Berisha e ka humbur arsyen. Sali Berisha ka grabitur zgjedhjet dhe kjo është edhe më e qartë se dje. Sali Berisha është pengu i atyre kutive që i mban të mbyllura forcërisht dhe i duket se do sulemi forcërisht për t‘ia marrë", vijoi kreu i PS-së.

Rama denoncoi daljet e fundit të deputetëve të mazhorancës që janë sulur, sipas tij, nga Kryeministri kundër opozitës, duke sulmuar përmes mediave të tij e duke kërcënuar se do i shkulë dhëmbë e dhëmballë. "Berisha është një i humbur që ka humbur mendjen. Dhe tregon me gisht nga opozita, duke shtyrë drejt saj gjithë lakenjtë e saj dhe propagandën e mediave në shërbim të tij. Berisha po përsërit krimin e zgjedhjeve me inaugurime pa lekë, duke bërë antimitigje, duke i thyer dhëmbë e dhëmballë opozitës. Sali Berisha nuk u ikën dot të vërtetave të qeverisë së tij, s‘e fsheh dot përfshirjen e familjes së tij duke sulmuar të ndjerin babain tim. S‘e mbulon dot duke sulmuar nënën e djalit tim. Sali Berisha nuk mbulon dot asgjë duke sulmuar me emër dhe mbiemër çdo shqiptar. Ai s‘e mbulon dot falimentimin e ekonomisë duke treguar përralla me krime të opozitës. Unë nuk ulem dot në nivelin e këtij njeriu, duke iu kthyer me baltën që hodhi mbi mua. Sali Berisha nuk frikëson dot askënd, jo më popullin e opozitës", insistoi Rama. Kryeministri Berisha i ka ashpërsuar mjaft tonet karshi kundërshtarit të tij politik, në një kohë kur opozita i ka dhënë dhjetë ditë afat për të hapur kutitë, në të kundërt do të vijojë me protesta derisa të shpallen zgjedhjet e parakohshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›