E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet konflikti i frikshëm

Sali Berisha "ka zgjidhur gjuhën" duke derdhur mbi liderin e opozitës, Edi Rama, akuza dhe aludime nga më të ashprat që ka lëshuar në gjithë vitet që zhvillon rivalitet politik me të. Duke marrë fjalën në seancën e djeshme të Kuvendit, kreu i mazhorancës ka avancuar në përshkallëzim dramatik kërcënimet ndaj opozitës pas deklaratave se "do t‘i shkulte dhëmbë e dhëmballë". Kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar nga foltorja e legjislativit shqiptar se do t‘i shkulte edhe nofullën "Ramës bashkë me mafien që e rrethon". Të dy bashkë, u shpreh ai, përcaktuam rregullat për zgjedhjet, por ndryshimi mes meje dhe atij ishte se Kodin e hartoi ai. Berisha shkoi më tej me premtimet e tij duke iu drejtuar kreut të opozitës nga podiumi i Kuvendit se do të përballet me të ashtu siç veproi në vitin 1991.

"Të jap fjalën e nderit ty zoti Rama që me vullnetin që jam përballur në vitin 1991 do të përballem edhe sot me mafien që t‘i kryeson dhe për këtë ti je i pashpresë", iu drejtua Berisha kreut të opozitës, nga Kuvendi. Më tej, Berisha e ka quajtur protestën treditore të opozitës për hapjen e kutive, si një miting funebre duke shtuar se Rama po kthen murin e Berlinit. Me anë të një fjalori mjaft të ashpër, kreu i qeverisë ka paralajmëruar opozitën se në protestën e radhës do të ndërhynte me forcë nëse preket ligji apo edhe nëse ndodh ndonjë incident. "Ti nuk do shpëtosh, ditët që vijnë zoti Rama do t‘i shkul dhëmbët. Ai ishte vetëm dhëmbi i parë. Pas dhëmbëve vjen nofulla. Je fund e krye i pashpresë. Garantoj protestën e çdo force politike. Rama le të organizojë protesta, por unë do të jem çdo ditë e çdo natë në zyrën time. Por nëse preket ligji do të reagojmë fort. Provojeni po ua mbajti do t‘ju tregoj sa iu vlen lëkura. Jam Sali Berisha, mbaj fjalën. Kushtetuta dhe ligji do të predominojë me çdo çmim, të mos kemi fjalë", deklaroi Berisha.

Kryeministri është marrë edhe personalisht me rivalin e tij politik, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë ka rimarrë akuzat e vjetra dhe ka sjellë edhe akuza të reja, duke mos kursyer asnjë pjesë të jetës së liderit të opozitës. "Rama ka akuzuar gruan e tij se ka shkuar me vjehrrin. Ai ka përgjakur gruan e tij në prezencë të personaliteteve nga Shqipëria dhe Kosova. Ai ka dalë nga shtrati i gruas dhe ka shkuar në shtratin e deshërve. Nëna e Ramës është grua e nderuar, por vjen nga një familje kriminale siç është familja e Spiro Kolekës, armikun e intelektualëve shqiptarë. Ti dhe vetëm ti do të jesh përgjegjës për pasojat. Fryhesh si kaposh, ti ke lindur me klimaks. Ne nuk mund të zgjidhim botën hormonale. Kjo është arsyeja", akuzoi Berisha. Këto kanë qenë vetëm disa nga frazat e ashpra të Berishës ndaj kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Më pas kreu i mazhorancës ka sulmuar ashpër edhe disa botues të njohur gazetash dhe televizionesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›