E Diel, 1 Nëntor 2026

"Guardiola përlan Murinjon Interi, skuadër pa kripë"

Leksioni i futbollit që Interi i Zhoze Murinjos mori nga Barcelona e Pep Guardiolës të martën në "Kamp Nou" ka bërë jehonë në mediat spanjolle. "Mesi dhe Ibra nuk ishin të nevojshëm për të mposhtur një Inter kaq të vogël", shkruante "Marca", "Guardiola përlan Murinjon", shtonte "La Vanguardia", ndërsa sipas AS, "Barça zhvesh Interin". Në anën tjetër gazetat katalane përdorën gjithfarë mbiemrash për të përshkruar paraqitjen brilante të "blaugranave". "Madhështorë!" ishte titulli i madh i "El Mundo Deportivo", "Goditje Kampionësh" nënvijëzonte "Sport". Dueli i shumëpritur ndërmjet dy "ish"-ëve të mëdhenj, Eto‘o dhe Ibrahimoviç, mungoi: suedezi qëndroi gjatë gjithë kohës në stol, pasi Guardiola nuk donte të rrezikonte përpara "klasikes" me Realin. Ndërkohë, sulmuesi kamerunas i Interit u shfaq "i humbur në fushë" dhe "i braktisur nga skuadra e tij", sipas "Marca"-s. "Eto‘o u bë protagonist vetëm përpara ndeshjes", kur përqafoi ish-shokët dhe tifozët e Barçës, citonte "Sport", ndërsa më tej "paraqitja e tij ishte zhgënjyese dhe pa asnjë gjuajtje në portë". Të përditshmet iberike janë treguar të pamëshirshme me zikaltrit që vazhdojnë të dominojnë në Itali, por shfaqen të pafuqishëm në Europë. "Interi ka më shumë emër sesa futboll, një skuadër inekzistente, pa ide, zhgënjyese", shkruante "AS" që nënvijëzonte: "e trishtueshme". "Muzikë maestro, Barça u kthye", ishte titulli i "El Pais", që e përkufizonte Interin e Murinjos "një skuadër të vogël, apatike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›