E Diel, 1 Nëntor 2026

Leksioni i Barçës "ngel" Murinjon

Çfarë figure të shëmtuar nga Interi në ndeshjen e së martës në Barcelonë. I bombarduar në pjesën e parë, i dehur nga qarkullimi i pafundmë i topave të saktë, të orkestruar nga Ksavi, Injesta dhe të tjerët (60% e qarkullimit të topit në total) dhe ndoshta në të dytën kampionët e Europës e kursyen. Spanjollët kishin Mesin dhe Ibrën në pankinë, pa mendonin nëse do të ishin edhe atë në fushë. Pra, me pak fjalë, një katastrofë që shkon përtej rezultatit përfundimtar 2-0. Kjo rihap proceset te një Inter, i cili paguan shtrenjtë trajnerë (10.5 milionë euro neto në sezon) dhe lojtarë (mali i rrogave më të larta në Serinë A) për ta gjetur veten sërish pa personalitet në Europë, kur loja bëhet e ashpër vërtet. Zhoze Murinjo është një nga ata që pëlqen të marrë përgjegjësi, madje adhuron të dalë ai në faqe të parë dhe jo të tjerët. Prandaj është logjike dhe e qartë që kritikat kryesore do t‘i marrë ai. Sa më pak thashetheme: të paktën në nivel mediatik dhe jo vetëm, humbja ndaj Barcelonës është humbja e Murinjos. Cila është vlera e shtuar e një trajneri? Loja që ai di t‘i japë skuadrës së tij dhe karikimi di të injektojë te lojtarët. E pra, Interi në "Kamp Nou" nuk tregoi lojë, sepse ishte i hipnotizuar, i dominuar në çdo zonë të fushës pa mundur të dalë përpara, të organizojë një reagim dhe ishte i kontraktuar, i frikësuar, gjithnjë i copëtuar në mesfushën e tij. Nuk pati lojë, as grintë. Prandaj përgjegjësitë janë sigurisht të trajnerit. Dhe nuk është hera e parë, që Interi i Murinjos dështon në Champions. Madje, përveç pjesës së dytë të famshme të Kievit, në tetor, nuk është parë kurrë në Europë skuadra shkatërrimtare e kampionatit italian, por krejt tjetër. Dhe tani duhet të luajnë kualifikimin në ndeshjen e fundit kundër Rubin Kazan, një skuadre të vogël, por të vështirë në mbrojtje dhe të frikshme në kundërsulm, siç e ka treguar veten në kurriz të Barcelonës: kundër rusëve, skuadra e Guardiolës ka humbur në shtëpi dhe transfertë nuk shkoi më tej se një barazim 0-0. Ndër të tjera: po pse Rubin Kazan arriti të fitonte në Kamp Nou dhe Interi as nuk e provoi? Të tjera pyetje që çojnë në bankën e të akuzuarit Murinjon. Pastaj ka edhe një tjetër çështje, jo më pak të rëndësishme në lidhje me përgjegjësitë e teknikut. Disa lojtarë kyç të Interit janë të papërmbajtshëm në Serinë A dhe qengja në Champions. Merrni Maikonin, i cili në Itali është i jashtëzakonshëm pa shumë sforco: në Europë është dominuar gjithmonë nga kundërshtari direkt, edhe kur bëhet fjalë nga i ëmbli Pedrito i Barcelonës dhe në sulm nuk bën asgjë. Përse? Merrni Kambiason: në Serinë A dominon mesfushën, jep asiste dhe shënon gola, por në Champions është hija e vetvetes, driblohet lehtësisht, nuk arrin të bëjë presing dhe i ngadalshëm në ndërhyrje. Ndoshta do të jetë ky defekti i mungesës së personalitetit, që në Kombëtaren e tij nuk ka mundur të gjejë vërtet hapësirë? Marrim Zanetin: në kampionat është "traktor", jashtë Italisë një si të tjerët. Merrni Stankoviç: në Champions zor të gjeni një ndeshje të mirë, mbetet gjithnjë anonim, shihet dhe nuk ndihet fare. Duke dalë nga "Kamp Nou", Murati tha: "Kemi folur në dhomat e zhveshjes, jemi parë në sy, kemi kërkuar të kuptojmë se ç‘po ndodh". Duhen bërë shumë diskutime, para se të gjendet një zgjidhje. Për këtë Inter, foli nata katalanase, në Europën që vlen nuk ka ende hapësirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›