E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rreziku i manipulimit të madh nga Greqia”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Në kohën kur Kodi i ri Zgjedhor po hartohet dhe kërkesat për votimin e emigrantëve janë shtruar me të madhe si dhe drafte përkatëse nga LSI dhe grupimi G99, nga e djathta shqiptare vjen një reagim tjetër, këtë herë kundërshtues. Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ish-zv/kryeministër gjatë kohës së qeverisjes së PD-së, 1992-97, pa mohuar në asnjë rast kontributin ekonomik të emigrantëve në Shqipëri, si dhe të drejtën e tyre për të votuar, e sheh tjetërkund problemin. Fillimisht ai ndalet në aspektin teknik. "Ne nuk kemi ende një shtet të organizuar për zgjedhjet jashtë kufijve. Ne ende kemi probleme me organizimin e votimeve brenda territorit”, - tha Shehi. Duke u ndalur tek rreziku i manipulimit të votës së migrantëve, Dashamir Shehi, i referohet një numri të madh votuesish në Greqi, që, sipas tij, llogariten 100 deri në 150 mijë. Ndikimi i politikës greke gjatë zgjedhjeve në Shqipëri, kryesisht gjatë atyre lokale, nëse kemi parasysh Himarën, ka qenë mjaft i dukshëm. Shehi hedh dyshimin e parë serioz për votën e migrantëve që jetojnë në Greqi, duke sjellë këtë argument: "Ky është një komunitet që, për hir të mungesës së shtetit të vet, është detyruar të ndërrojë emrin, kështu që nuk e ka problem as të ndërrojë votën. Janë rreth 100-150 mijë votues që përbëjnë 10-15 për qind të zgjedhësve dhe vota e tyre mund të jetë përcaktuese për fatin e politikës në Shqipëri. Vota e tyre mund të jetë e ndikuar dhe kështu mund të përcaktohet lidershipi politik nën mbikëqyrjen e fqinjëve, ndaj mendoj se kjo është premature dhe me rrezik për demokracinë", - u shpreh kryetari i LZHK-së, Shehi. Gjithësesi, edhe reagimi i Shehit, ashtu si propozimet e mëparshme të LSI-së dhe grupimit G99, janë më shumë pjesë e një debati etik se sa politik, sepse dy partitë e mëdha vendimmarrëse në Kodin e ri Zgjedhor kanë dhënë tashmë shenja të qarta se çështja e përfshirjes së emigrantëve në zgjedhjet e përgjithshme nuk do të diskutohet, së paku, për zgjedhjet kombëtare të vitit 2009.

Ky lajm është publikuar: 21/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›