Rama: Berisha përuron rrugët që nuk i bën vetë
Tiranë- “Berisha ka marrë në dorë gërshërët e kryekomunarëve dhe po inauguron rrugë që nuk i ka bërë vetë”. Kështu i është përgjigjur sot kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama akuzave të një dite më parë të bëra nga kreu i qeverisë Berisha gjatë një inaugurimi në Xhafzotaj të Durrësit.
Në përurimin e rrugës “Sami Frashëri” në Tiranë, kryebashkiaku Rama ka theksuar se Berisha nuk po e fsheh dot më dështimin e tij, në krye të qeverisë së drejton.
“Dëgjoj Kryeministrin që hakërrehet në Parlament si i forti i mëhallës, pastaj turret e u merr gërshërët e inagurimeve nga dora kryetarëve të komunave për t’i bërë karshillëkun e vet qesharak Bashkisë së Tiranës, me rrugë fshati që s’i ka bërë as vetë"-ka thënë Rama për mediat, gjatë përurimit të rrugës.
Rama ka shtuar më tej se Tirana evropiane po transformohet nga dita në ditë me një punë që është e dukshme në sytë e gjithë qytetarëve. Ndërkohë që Berisha sipas tij, nuk e fsheh dot më dështimin e plotë të politikës së tij të vjetër. "Politike, të cilën shqiptarët do ta dënojnë përfundimisht me votë, duke çliruar Shqipërinë nga kthetrat e së shkuarës, për ta kthyer në model të suksesit dhe të së ardhmes, ashtu si Tirana europiane që ne po transformojmë çdo ditë“- tha ai.
Një ditë më parë, Berisha e akzuoi Ramën si kryetar ‘bashkie në korrespondencë’.
Rruga e inauguruar ndodhet në jug të Tiranës dhe lidh bllokun e banimit pranë Kopshtit Zoologjik si dhe lagjen Sauk me rrugën “Sami Frashëri“.
Gjendja fizike e saj ishte mjaft e dëmtuar dhe trotuarët thuajse nuk ekzistonin, ndërkohë që tashmë rruga jo vetëm që paraqitet e rikonstruktuar e me trotuare në të dy anët e saj, por rehabilitimi i saj do të krijojë edhe të gjitha lehtësirat e nevojshme për qytetarët të cilët jetojnë në blloqet e banimit pranë kësaj rruge, njëkohësisht edhe për ata qytetarë të Tiranës që ushtrojnë aktivitetin e tyre sportiv pranë Liqenit Artificial.
Gjatësia e rrugës së trajtuar në këtë objekt është 632 metra linearë. Gjerësia e rrugës pas rikonstruksionit është 8 metra (nga 6 metra ekzistues) dhe trotuarët janë trajtuar me shtresë betoni. Për te u perdoren 300 milione leke nga te ardhurat e Bashkise.