Deputetët e PS në Tiranë: Në protestë për hapjen e kutive
Një ditë para protestës që do të mbahet përpara Kryeministrisë, Partia Socialiste u bën thirrje qytetarëve për të marrë pjesë në të. Deputetët socialistë të qarkut të Tiranës thanë se protesta ka si qëllim të ndërgjegjësojë kryeministrin Berisha t’i bindet Kushtetutës për të lejuar hapjen e kutive të votimit. “Ftojmë në protestë të shtunën, në orën 17:00 pasdite, të gjithë ata që vazhdojnë të besojnë se qytetarët e ndershëm janë ende në shumicë dërrmuese përballë një pakice manipulatore në qeveri. Një pakicë manipulatore që të shtunën në orën 17:00 do të bindet ndaj thirrjes sonë për hapjen e kutive për transparencë dhe për zbardhjen e korrupsionit elektoral. Kjo është një betejë të cilën ne dhe shumica e shqiptarëve do ta fitojmë për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë evropiane”, theksoi deputeti Tahiri. Socialistët, të mbështetur nga aleatët e tyre të majtë, por dhe nga disa parti të qendrës së djathtë, si dhe nga disa shoqata do të nisin të shtunën në kryeqytet protestat lidhur me zgjedhjet e përgjithshme. Në orën 17:00, sipas organizatorëve, do të nisë protesta përpara selisë së Këshillit të Ministrave, ku drejtues të PS-së, por edhe të forcave të tjera politike do t’i bëjnë thirrjen e fundit kryeministrit Berisha për të lejuar hapjen e kutive. Ndërkohë PS-ja vazhdon të këmbëngulë se nuk do të hyjë në Kuvend në rast se kryeministri nuk iu jep atyre shumicën në komisionin hetimor për zgjedhjet.