Rama me ambasadorët: Sdo bllokojmë reformat

Rama gjatë takimit me ambasadorët
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, garantoi trojkën e ambasadorëve në Tiranë se nuk do të ketë asnjë bllokim të reformave nga ana e PS. Në një takim të zhvilluar në zyrën e tij me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu, ambasadorin e OSBE-së, Eugen Volfarth dhe ambasadorin e Bashkimit Europian Etore Sequi, Rama vuri në dukje se në procesin e zgjedhjes nga Kuvendi i Shqipërisë të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u shkelën hapur të gjitha rregullat e Procedurës dhe u komprometua procesi i votës së fshehtë, çka sjell pasoja të rënda për të tashmen dhe të ardhmen e jetës parlamentare, duke dëmtuar rëndë institucionet kushtetuese të vendit. Kryesocialisti i siguroi ata për impenjimin maksimal të Partisë Socialiste në realizmin e reformave në përgjithësi dhe të ngritjes së Gjykatës Administrative në veçanti, si dhe angazhimin e saj për të bërë më të mirën e mundshme në këtë drejtim. Gjatë takimit, pasi nënvizoi rëndësinë e madhe që Partia Socialiste i kushton procesit të reformave të cilat i duhen Shqipërisë për të ecur në rrugën e integrimit europian, kreu i PS shprehu shqetësimin për mungesën e progresit të pritur në çështjet më esenciale të reformës parlamentare. Rama theksoi domosdoshmërinë për të punuar më ritme të përshpejtuara për të realizuar reformën elektorale brenda afateve për të cilat është rënë dakord. Ambasadorët falënderuan për informimin e hollësishëm, si dhe vlerësuan konstruktivitetin e treguar në procesin e reformave dhe shprehën besimin se do ky proces do të vazhdojë deri në finalizimin e tij.