Rama, Berishës: Hiq postbllokun e korrupsionit
TIRANË- Lideri i socialistëve, Edi Rama i ka bërë thirrje kreut të qeverisë, Sali Berisha të heqë postbllokun e korrupsionit nga rruga e realizimit të projektit të interkonjeksionit me Kosovën dhe të mos e damkosë me damkë turpi qeverinë e këtij vendi dhe Shqipërinë që ka interes strategjik për këtë projekt.
Reagimi ka ardhur pas akuzave të Berishës për atë që ai e cilësoi klikë të mafias, lidhur me debatin që pasoi zbatueshmërinë e projektit në fjalë.
Berisha foli për klikën e mafias duke akuzuar si zëdhënës të mafias KFW, gazetën Zëri dhe natyrisht edhe opozitën. Nuk di nëse tek mafia ai fut edhe partinë e koalicioni të tij. Kjo është çështje që i takon ta zgjidhin me njëri- tjetrin. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që të besojë se banka që përfaqëson shtetin gjerman të jetë mafioze dhe Saliu të jetë qelibari- tha Rama.
Sipas Ramës, ai la nam duke përcaktuar si fitues të konkursit për kuvendit kompaninë me cmim më të lartë në kundërshtim të hapur edhe me ministrin e tij të financave.
Duke parë nga afer dokumentacionin e procesit të bllokuar të linjës me Kosovën të vret syrin qëndrimi arrogant i qeverisë dhe të shpon hundët era e keqe e një historie ku shtiza e flamurit të korrupsionit qeveritar po i ngulet në shpinë Shqipërisë dhe Kosovës- tha Rama, duke shtuar se përrallat më të bukura të antimafias i tregon vetë mafia.