Linja me Kosovën, Rama akuzon Berishën

Mbledhja e djeshme e Grupit të PS
Kreu i PS i kërkoi dje Kryeministrit të përgjigjet për bllokimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën.
Të çlirojë Kosovën nga monopoli i Serbisë për furnizimin me energji
Kreu socialist, Edi Rama, kërkoi një interpelancë urgjente me Kryeministrin Berisha lidhur me bllokimin e realizimit të linjës së interkonjeksionit me Kosovën.
Duke iu referuar akuzave të publikuara në gazetën kosovare Zëri, Rama e cilësoi të qëllimshëm këtë bllokim me interesa antikombëtare. Projekti i linjës me kapacitet 400 kilovolt, që financohet nga Gjermania, ka mbetur peng i qeverisë shqiptare, madje pasi tenderi është kryer dhe ka marrë edhe miratimin e Bankës Gjermane, KFW. Madje bllokimi ka ardhur edhe pasi vetë OST-ja e ka miratuar rezultatin e tenderit. Letrat e drejtorit të KFW-së, drejtuar qeverisë shqiptare, nuk kanë marrë përgjigje. Çështje kaq madhore dhe me një rëndësi kaq të madhe paskan mbetur në dorë të një ish-badigardi dhe ish-doganieri të Sali Berishës, që është kthyer në drejtor me fuqi bllokuese për realizimin e një projekti të këtyre përmasave, në interesa kombëtare dhe publike, tha Rama. Sipas tij, Kryeministri duhet të përgjigjet në Kuvend para qytetarëve lidhur me bllokimin e këtij investimi të financuar nga banka gjermane KFW. Sali Berisha duhet të përgjigjet dhe jo të gënjejë. Të veprojë menjëherë për ta çliruar një orë e më parë projektin që çliron Kosovën nga monopoli i Serbisë mbi linjën e furnizimit të saj me energji dhe të garantojë realizmin e këtij projekti pa i humbur më as kohë dhe as para Shqipërisë e shqiptarëve. Shpresoj shumë që ai të dalë dhe të thotë diçka nuk ka funksionuar siç duhet, diku është gabuar, dikush do të ndëshkohet për këtë turp qeveritar, të dalë pa përzier në llumin e një tjetër bataku që mban erë të keqe korrupsioni me interesat e kombit dhe të publikut shqiptar, u shpreh Rama. Një tjetër temë në qendër të fjalës së kryesocialistit ishte dhe debati në Kuvend për procedurat tatimore dhe akcizat. Grupi Parlamentar duhet të angazhohet shumë fuqishëm në debatin për procedurat tatimore dhe akcizat. Të enjten procedurat tatimore do të ndërrohen për të 68 herë në 7 vjet, duke arritur në një shifër rekord të paparashikueshmërisë së sistemit të taksave në Shqipëri, që është edhe një nga problemet themelore që pengojnë rritjen e pjesëmarrjes së kapitaleve në ekonominë shqiptare për investime. Sot ka më shumë taksa mbi pagat dhe i paguajnë të punësuarit. Më shumë taksa mbi biznesin e vogël dhe i paguan biznesi i vogël. Rasti skandaloz i dyfishimit të taksave të biznesit të vogël në Tiranë është rrëqethës, u shpreh Rama. Duke iu referuar një urdhri të ministrit të Mbrojtjes Imami, për emërimin e komandantit të Flotës Detare pa dekret të Presidentit, Rama akuzoi ministrin dhe Kryeministrin se qëllimi i kësaj shkeljeje kushtetuese ishte përvetësimi i bazës ushtarake të Bisht-Pallës. Për këtë ai kërkoi interpelancë në Kuvend me ministrin Imami. Çështja e komandimit të Flotës nuk ka lidhje fare me asnjë arsye që ka të bëjë me përmirësimin e performancës së Ushtrisë shqiptare. Ka lidhje me synimin për ti gllabëruar Flotës shqiptare pasuri të patundshme dhe për ti çuar e për ti kyçur në oborrin e pushtetit të Sali Berishës, u shpreh Rama.
Berisha: Linja do bëhet, por rregullat nuk thyhen

Kryeministri Berisha dje gjate konferences per shtyp
Kryeministri Berisha, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve dje gjatë konferencës për shtyp lidhur me linjën e interkonjeksionit, tha se akuzat janë klithma të mafies së dështuar. Kjo ishte një klithmë e radhës e mafies së dëshpëruar. Për Sali Berishën, mafia nuk ka atdhe. Atdhe i saj është shpella, ku ndan paratë e krimit. Mafia nuk ka fytyrë, por ka vetëm fytyrën e krimit. Mafia nuk ka moral, por vetëm trofetë që plaçkit, u shpreh Berisha. Duke iu përgjigjur akuzave të artikuluara dje nga kryesocialisti, Berisha tha Rama, është bërë pjesë e atyre që duan ta bëjnë linjën e interkonjeksionit me çmimin më të lartë. Sot dëgjova se u kujtua edhe ky të bëhet patriot, më së fundi dhe unë e mirëpres, por ra në grackë, i doli, notonte edhe ky tek 30-përqindëshi. Aty është pika e mjaltit. Nuk ka diskutim që linja do të bëhet, por rregullat nuk mund të thyhen se është një diferencë shumë e madhe, u shpreh Berisha. Sipas Kryeministrit, kompania që ka fituar tenderin është më e shtrenjtë. Firma e dytë, për të cilën OST-ja dhe drejtuesi i saj insiston të shpallet fituese, ka prurë një ofertë – të dyja në kushte të përafërta teknike – prej 27 milionë eurosh për territorin e Shqipërisë, kundrejt 36 milionë eurove që është oferta e parë. Këtu çmimi lëviz me 1/3-ën dhe kush navigon në këtë 1/3, është punë tjetër, u sqaroi Kryeministri.
Bashkia: Rama gënjen për taksat
Pas deklaratave të bëra një ditë më parë nga kryesocialisti Rama se në Tiranë janë rritur taksat, reagoi Bashkia e Tiranës përmes një deklarate. Është për të ardhur keq që z. Rama ka zgjedhur të risjellë konfliktin politik në qytetin e Tiranës. Për ti qartësuar faktet që në krye të herës, në Bashkinë e Tiranës nuk ka pasur asnjë rritje taksash. Këshilli Bashkiak nuk ka miratuar asnjë vendim te tillë. Kryetari i Bashkisë është kategorikisht kundër rritjes së taksave dhe qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë. Ajo çfarë ka ndodhur në Tiranë, është dyfishim i mbledhjes së taksave, çka do të thotë se qytetarët kanë tashmë besim tek administrata e Bashkisë, se pavarësisht pozicionit apo interesit politik, çdokush do të trajtohet i barabartë para ligjit dhe do të paguajë atë që i takon sipas ligjit, thuhet në reagim. Bashkia deklaron se ka eliminuar dhe reduktuar 60 tarifa dhe taksa, duke e bërë më të lehtë hapjen dhe zhvillimin e një biznesi. Në fakt Bashkia ka eliminuar dhe reduktuar 60 tarifa dhe taksa duke e bërë më të lehtë hapjen dhe zhvillimin e një biznesi, çka ndihmon në rritjen e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës, thuhet në reagimin e bashkisë së Tiranës.
ARISTIR LUMEZI