Rama: Berisha po zvarrit procesin për të zgjedhur president me 71 vota

Edi Rama
Lideri i opozitës i cilëson lëvizjet e fundit të kreut të mazhorancës për zgjedhjen e presidentit si taktike sa për të djegur tre raundet e para, ku kërkohen 84 vota për zgjedhjen e kreut të shtetit. Edi Rama tha se kjo është arsye shmangies së takimit të kërkuar nga ai me Berishën.
Besoj që arsyeja pse kryeministri i shmanget takimit në një tryezë të të gjithë kryetarëve të partive është sepse ai e ka jashtëzakonisht të vështirë që të përballet me argumente në tavolinë për të ndërtuar një proces. E po ashtu, e ka shumë të vështirë pastaj të iki nga një tavolinë ku do të ulet për procesin. Kryeministri sot ishte fare i qartë, dëshiron vetëm të tërheqë zvarrë parlamentin, të humbasë kohën e këtyre raundeve të para me alibinë se po ofron konsensus për të ardhur përsëri në pikënisjen e tij dhe për të realizuar zgjedhjen e një Presidenti i cili është noteri i tij partiak, është shprehur Rama në një intervistë për emisionin Top Story.
Kreu i PS-së ka nënvizuar se opozita e ka bërë propozimin e saj për zgjidhjen e kësaj çështje. Lidhur me kandidaturën e Xhezair Zaganjori, Rama është shprehur se nuk mund të merret në konsideratë pasi bëhet fjalë për një proces të njëanshëm.
Ne nuk kemi çfarë të marrim në konsideratë në një situatë kur ka një proces unilaterial, krejtësisht të njëanshëm, në përpjekjen për të krijuar idenë se këtu ka një hapje, por në fakt duke qëndruar mbyllur brenda gjysmës së parlamentit dhe duke akuzuar dhe duke u ankuar për gjysmën tjetër. Gjysma tjetër e parlamentit është jashtë procesit. Në rast se nuk ka proces ne nuk kemi asnjë arsye që të hyjmë as në emra dhe as në historira këmbimesh të emrave si të ishin robërit që ja dorëzojmë palëve në shkëmbim, është shprehur Rama. /F.S/