Rama: Berisha shpërdoroi 35 milionë dollarë
Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vijoi dje akuzat në adresë të Kryeministrit në lidhje me përmbytjet e ndodhura në Shkodër. Kreu i opozitës Rama, tha se Sali Berisha ka fshehur gropën e krizës ekonomike dhe për ta mbyllur atë, hapi një gropë në tokat e mijëra familjeve të Shkodrës. “Sot kur kanë kaluar 10 ditë nga kjo dhuratë cinike që ai ju bëri shkodranëve ai ende nuk ka mbledhur Qeverinë për të përcaktuar kriteret e shumës së dëmshpërblimit për çdo familje të përmbytur”, - u shpreh Rama. Sipas të dhënave zyrtare, tha ai, që janë të zvogëluara ndjeshëm, ai po i mbyt me një ujë që po të ishte menaxhuar mirë do të kishte sjellë 35 milion dollarë që tanimë janë të shpërdoruara. “Sali Berisha nuk mund tu thotë shkodranëve se KESH-i që i përmbyti do tu kompensojë çdo qindarkë, po duhet tu thotë, një orë e më parë, se me ta nuk do të ndodhë si me të shkretët banorë të Gërdecit, ca të nënës e shumë të njerkës, dhe se ai, njeriu që duhet tua kishte kursyer këtë shkatërrim duke mos u bërë palë me priftin e korrupsionit, do të marr me çdo kusht përsipër ti kompensojë qindarkë për qindarkë dëmet e tyre. Ashtu sikundër qeveria e votave të vjedhura duhet të nxjerrë, urgjent, lekë në dorë për çdo familje që jeton në zonën e përmbytur dhe smund të mbajë frymën gjallë, as duke pritur thesin me miell, që edhe kur vjen shumë shpesh nuk ka ku gatuhet, as duke shitur lopën për 5 ditë bukë”, - u shpreh Rama. Ky vend dhe ky popull, tha ai, nuk ka më kohë të paguajë për interesat e oborrit të tij qeveritar. Kryesocialisti kundërshtoi dhe deklaratat e Berishës se situata të tilla ndodhin një herë në njëqind vjet. “Jo zotëri që veç si zotëri nuk dite të sillesh, as këtë herë, pasi qeveria jote e përmbyti Veriun e vendit. Situata të tilla nuk ndodhin jo një herë në njëqind vjet, po nuk ndodhin asnjëherë aty ku ka ligj e ku ka shtet dhe jo si këtu ku ka vetëm një Maliq e një palo pushtet. Sepse Veriun nuk e përmbyti dora e Zotit, po mendja e robit. Veriun e mbyti shkelja e ligjit, rënia e shtetit, marrëzia e pushtetit”, - tha ai. Rama shtoi se situata të tilla nuk kanë ndodhur as kur mbi veri dhe mbi liqenet e hidrocentraleve ka rënë shumë më tepër shi e ka rrjedhur shumë më tepër borë e shkrirë, sepse nuk ka pasur asnjëherë më parë Shqipëria në krye të kësaj pune njerëz që të mbledhin ujin e hidrocentraleve jashtë çdo kufiri logjik e kriteri shkencor për të bërë lekë. Ai pohoi më tej se pushteti i tij i vjedhur në 28 qershor po e shkatërron shtetin me babëzinë, me papërgjegjshmërinë e me lukuninë e të paaftëve që skanë haber nga punët për të cilat paguhen me lekët e shqiptarëve.
PS: “Përmbytja, vepër penale e kryer nga Berisha e Prifti”
Partia Socialiste i ripërsërit Prokurorisë kërkesën për fillimin e hetimeve për shkaqet që çuan në këtë katastrofë me autorësi shtetërore. “Deklarojmë me përgjegjësi të plotë se nga të gjitha informacionet që ne kemi mbledhur dhe po administrojmë nga verifikimet në terren si dhe konsultimet me ekspertët hidroteknikë na rezulton se kjo përmbytje është një vepër penale e pastër abuzimi me detyrën si pasojë e së cilës janë rrezikuar jetët e disa mijëra banorëve të zonës së Shkodrës dhe janë dëmtuar me paramendim pronat e disa mijëra familjesh në këtë zonë”, - tha dje deputeti i PS-së, Taulant Balla. Ai identifikon si persona përgjegjës kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Energjetikës, Dritan Priftin. “Të dy këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tretë, kanë vënë në rrezik, me dashje dhe paramendim, sigurinë e kaskadës hidroenergjetike mbi lumin Drin, duke urdhëruar shkeljen në disa nene të Rregullores së Shkarkimit të Plotave në Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës”,- deklaroi ligjvënësi socialist. Sipas tij, liqenet e tre hidrocentraleve mbi lumin Drin u frynë në mënyrë të qëllimshme, për të mos prodhuar energji, por për ti zbrazur mbi Shkodër, ndërkohë që energjinë në muajt e shkuar dhe në vijim Shqipëria duhet të vazhdojë ta importojë nga Serbia. “Ne importuam dhe vazhdojmë të importojmë energji nga Serbia, megjithëse në Shqipëri mund të prodhonim mjaftueshëm. U kujtoj sot qytetarëve shqiptarë se një pjesë e energjisë super të shtrenjtë që ne kemi paguar deri pak muaj më parë e sillte në Shqipëri miku i vjetër serb i Sali Berishës Fazliç”, - tha Balla.
PS, Leskaj në Shkodër: Situata, do kërkojmë zbardhjen
Deputetja socialiste Valentana Leskaj, së bashku me një grup deputetesh të selisë rozë, kanë vizituar banorët e zonave të përmbytura, të cilëve u kanë dhënë dhe një pjesë të fondeve të mbledhura nga llogaritë bankare të hapura nga PS. Valentina Leskaj në emër të ligjvënësve socialistë pohoi se pas kapërcimit të situatës, do ti shkojë deri në fund zbardhjes së saj. “Jemi pa dyshim dhe me një ndihmë modeste për njerëzit e përmbytur të kësaj zone. Ajo që vlen për të thënë sot, pa dyshim, është që pasi të mbarojë situata e emergjencës, Partia Socialiste insiston dhe do vazhdojë të kërkojë nxjerrjen e përgjegjësive, vënien para përgjegjësisë për të gjithë ata që kanë shkaktuar këtë katastrofë që nuk është një katastrofë që vjen nga zoti, po që lidhet me veprime të personave që janë përgjegjës dhe padyshim që duhet të shkojë deri lart në Qeveri te kryeministri i vendit, Sali Berisha”, -Leskaj.
Ky lajm është publikuar: 12/01/2010