Një 2010 më e rrezikshme
Autori i Lajmit: Nga Janusz Bugajski
Viti i ri premton të dyja, të pritura dhe të papritura në zhvillimet ndërkombëtare dhe do të jetë një vit sfidues për presidentin Barack Obama. Është e sigurt se lufta në Afganistan do të vazhdojë pa rezultate të qarta dhe dalja nga recesioni ekonomik do të jetë e ngadalshme dhe e dhimbshme, madje mund të ketë vuajtje të reja nga kriza. Megjithatë, kriza të reja dhe në shpërthim e sipër po shfaqen në horizont dhe ato seriozisht do të testojnë aftësitë dhe kapacitetet e administratës së Obamas për zgjidhjen e tyre.
Perspektiva e një bombe bërthamore iraniane dhe një sistem i dërgimit të saj, që do ta kërcënonte mbarë Lindjen e Mesme dhe shumicën e Evropës, do të sjellë një urgjencë të re gjatë këtij viti. Një sistem i tillë shihet si themelor nga liderët iranianë për paraqitjen e rëndësishme politike të vendit dhe për të promovuar ambiciet iraniane për fuqi rajonale. I kuptueshëm është mirëkuptimi ziliqar i Teheranit për respektin e treguar nga Washingtoni për diktaturat e tjera bërthamore, si Rusia dhe Kina.
Evolucioni i brendshëm iranian mund të jetë i parashikueshëm. Por ai që nuk mund të parashihet lehtë është reagimi i Arabisë Saudite, Turqisë dhe fqinjëve të tjerë të afërt, të cilët i frikësohen një Irani bërthamor dhe mund të ndjekin programe të ngjashme bërthamore me pretekstin e vetëmbrojtjes. Por ajo që është më e parashikueshme është një sulm parandalues i Izraelit mbi caqet bërthamore iraniane, duke thënë se po vetëmbrohet. Derisa SHBA-ja do të mundohet ta ndalojë Izraelin nga një sulm i tillë, dhe do ta përdorë edhe territorin irakian si masë për parandalimin e fluturimeve izraelite, Tel- Avivi herët a vonë do të gjejë një mënyrë për ta sulmuar Iranin.
Megjithatë, bombardimi izraelit i caqeve iraniane, nuk do të thotë se e bën Iranin të heqë dorë nga prodhimi i bombës bërthamore. Në vend të kësaj, kjo do të shkaktonte pasoja më të rrezikshme dhe të paparashikueshme në Lindje të Mesme që do ta tërhiqnin SHBA-në drejt një konflikti. Obama do të ballafaqohet me prospektin e një lufte rajonale, që do ta bënte luftën në Afganistan dhe Irak të duken si hije anësore. Në një kohë të investimit enorm të SHBA-së në mbrojtje dhe me një borxh të madh financiar, një luftë e re do ta zhyste Amerikën në një recesion ekonomik më të thellë me pasoja botërore.
Ne po ashtu mund të konsiderojmë se nga Dita e Krishtlindjeve Amerika po futet në një konflikt të papritur për Amerikën. Përpjekja e dështuar e një xhihadisti nigerian për ta bombarduar një aeroplan amerikan që po fluturonte drejt Detroitit ka fokusuar mbrojtjen amerikane në një shtet të dështuar, Jemenin. Derisa trupat amerikane dhe ato evropiane të NATO-s po luftojnë talebanët për ndërtimin e një quazi-shteti demokratik në Afganistan, “Al-Qaeda” ka bartur shumicën e aksioneve në një shtet tjetër.
“Al-Qaeda” është shumë fluide, fleksibile dhe e përshtatshme që nuk mund të luftohet në kuptimin konvencional. Grupet rebele, ka treguar historia, janë shumë të vështira për tu luftuar pasi ato nuk respektojnë vijën e frontit dhe nuk çajnë kokën për standardet njerëzore dhe mbështeten në përdorimin e formave të terrorit psikologjik për luftimin e armikut ushtarak. “Al-Qaeda” është edhe më e rrezikshme se grupet rebele kombëtare, pasi nuk është e centralizuar, operon në mbarë botën dhe rekruton pjesëtarë të të gjitha etnive.
Jemeni tani është bërë shtet strehimi për trajnime terroriste, pajisje, financim dhe instruksione operacionale. Dhe ka indikacione se rebelët jemenas kanë lidhje me militantë somalezë, duke shtuar frikën se Somalia do të bëhet një destinacion terrorizmi dhe një burim për fushatë kundër Perëndimit nëpërmjet piraterisë.
Jemeni po shndërrohet në një tjetër Afganistan. Qeveria qendrore e drejtuar nga presidenti Ali Abdullah Saleh po dobësohet derisa po i shteren burimet për luftimin e liderëve fisnorë. Jemeni ballafaqohet me dy lëvizje të mëdha secesioniste, pakënaqësinë e jashtme fisnore dhe një lëvizje në rritje rebele islamike në territore që kryeqyteti i kontrollon vetëm nominalisht. Saleh nuk mund ti zëtë besë as ushtarëve të tij pasi shumica prej tyre kanë luftuar si muhaxhedinë në Afganistan dhe janë lojalë ndaj “Al-Qaedas”.
Jemeni i ka të gjithë kushtet për tu shndërruar në luftën e gjatë të ardhshme të Obamas. Nëse Qeveria qendrore nuk do ta mbajë vendin të bashkuar dhe nuk do të jetë e aftë për ti luftuar të gjitha grupet rebele dhe kampet trajnuese, atëherë SHBA-ja mund të mos ketë tjetër zgjidhje pos të ndërhyjë, edhe pse autoritetet jemenase kundërshtuan angazhimin amerikan.
Mundësia e parë e një misioni fillestar është mbështetja e Qeverisë aktuale dhe të luftohen terroristët që kërcënojnë interesat amerikane dhe evropiane. Por Amerika ka histori të njohura të zhytjes së saj në konflikte brenda shteteve, me shumë rebelime kamikaze dhe konflikte separatiste. Jemeni mund të bëhet Afganistani i dytë – një vend që mbron gueriljen terroriste dhe ku do të jetë vështirë të luftohen terroristët e fshehur në territore të vështira malore. Një luftë e tillë në Gadishullin Arabik do të nxiste që të shpërthenin shumë lëvizje dhe të përzihen në mashtrimin fetar për luftimin e “Dreqit amerikan”.
Një luftë në Jemen do ti shtrydhte burimet amerikane dhe do të rrezikonte thyerjen e aleatëve të NATO-s pasi ata mund të mos i kontribuonin ndërhyrjes amerikane. Derisa një ndërhyrje amerikane nuk ndodh si kundërpërgjigje direkte ndaj një sulmi masiv dhe të përgjakshëm terrorist në SHBA, lufta në Jemen nuk do të ishte popullore në SHBA dhe do të dënohej nga jashtë. Obama do të shihej si një Bush i dytë dhe reputacioni amerikan në botën myslimane do të binte së bashku me ekonominë.
Për më tepër mungesa e suksesit të dukshëm amerikan në Afganistan ose Jemen do të nënvlerësonte besueshmërinë e NATO-s dhe bashkësisë transatlantike. Nuk ka dyshim se liderët e “Al-Qaedas” se zhytja e SHBA-së në Jemen do të ishte një fitore e rëndësishme në vitin 2010.
Ky lajm është publikuar: 12/01/2010