Durrës Zhduket 40-vjeçari, mister motivet
Autori i Lajmit: Redaksia
Prej dy ditësh një 40-vjeçar rezulton i zhdukur, ndërsa familjarët e tij kanë arritur të gjejnë automjetin, të braktisur. S.L, është larguar nga banesa me automjetin e tij tip “Benz 250” me targa Tr 3606 I, paraditen e datës 9 janar dhe nuk u kthye më. Një ditë më vonë, pikërisht mëngjesin e djeshëm familjarët e 40-vjeçarit kanë gjetur automjetin në vendin e quajtur ”Pylli i pishave” në fshatin Fllakë. Policia, e lajmëruar, u vu menjëherë në lëvizje duke shkuar në vendin ku ka filluar kryerja e veprimeve të para hetimore. Policia sqaroi se 40-vjeçari, banor i fshatit Mëzes Tiranë, beqar, më datë 9 janar të vitit 2010, rreth orës 10.00, është larguar nga banesa me automjetin e tij duke thënë se do të shkonte deri në qendrën e banimit dhe deri në mbrëmje nuk është kthyer. Po nga hetimet e para rezulton se familjarët e tij, gjatë orëve të para të datës 10 janar në bregdetin e Fllakës, tek ”Pylli i pishave”, kanë gjetur të padëmtuar, të lënë me dyer të hapura dhe çelësa në kuadër automjetin e tij. Efektiva të Policisë së Qarkut Durrës dhe shërbime të specializuara për kërkimet nën ujë kanë kryer gjatë gjithë ditës së djeshme kërkime në zonën përreth, e cila, si rezultat i daljes së detit, ka krijuar gropa të mëdha uji. Kërkimet e deritanishme nuk kanë rezultuar pozitive dhe policia deklaroi se po punohet në vazhdimësi për gjetjen e 40-vjeçarit.
Ky lajm është publikuar: 12/01/2010