E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat e PS Meksi: “Qeveria lejoi përmbytjen për të rritur të ardhurat nga importi”

Autori i Lajmit: S. Topi
Partia Socialiste akuzon Qeverinë se po mashtron shqiptarët. Deputetja socialiste, Ermelinda Meksi, sqaroi dje se Ekzekutivit po nxjerr të dhëna fiktive lidhur me treguesit buxhetorë duke ndryshuar parashikimet e bëra në fillim të vitit. Sipas saj, në fund të dhjetorit të kaluar Ekzekutivi ka miratuar një akt normativ sipas të cilit rritet deficiti buxhetor nga 4,2 % e PBB-së që ishte parashikimi në 7 % e PBB-së ndërkohë që ulen të ardhurat. Meksi bëri përgjegjëse Qeverinë që, për të rritur të ardhurat spekulative në buxhet, jo vetëm nuk deshi tia dijë për barrën e rritjes së çmimit të energjisë te popullata, por tejkaloi kujdesin për energjinë duke përmbytur në ujë veriun e vendit. PS kërkon që ministri i Ekonomisë dhe ai i Financave të informojnë publikun se sa kanë qenë të ardhurat e TVSH-së nga importi i energjisë elektrike për muajt tetor, nëntor, dhjetor për vitet 2008 dhe 2009, si dhe sa janë të ardhurat nga eksporti i saj.
Akuzat për përmbytjet
Meksi pohoi se Qeveria nuk mund të mburret se ka bërë thirrje për solidaritet njerëzor dhe financiar në një kohë që duhet të marrë përgjegjësinë për situatën e krijuar. Ligjvënësja socialiste kujtoi dhe deklaratën e bërë pak ditë më parë nga Obama, i cili merrte vetë përgjegjësitë për problemet në SHBA, ndërsa u shpreh se përdorimi i buxhetit për të ndihmuar ata njerëz që rrezikojnë nga përmbytja nuk është meritë e Qeverisë, por përkundrazi, sepse në këtë mënyrë ajo po përdor paratë e taksapaguesve shqiptarë. “Është i njëjti model qeverisjeje: siç nuk hapen kutitë e zgjedhjeve, nuk bëhet transparenca e menaxhimit të digave apo shifrave të buxhetit. Ne kemi rezerva se nën presionin e deficitit shumë të lartë buxhetor, të krijuar për vitin 2009, por të maskuar me retorikë e demagogji nga qeveria, është tentuar të rriten të ardhurat nga TVSH e energjisë elektrike të importuar, në vend të konsumit të saj nga prodhimi i hidrocentraleve të vendit, që ishin të tejngopura me ujë”, - tha Meksi. Ajo shtoi se në këtë situatë ku spekulohet në mënyrë të qëllimshme, ministri i Ekonomisë dhe ai i Financave duhet të informojnë publikun se sa kanë qenë të ardhurat e TVSH nga importi i energjisë elektrike për muajt tetor, nëntor, dhjetor për vitet 2008 dhe 2009, si dhe sa janë të ardhurat nga eksporti i saj. Kështu, sipas Meksit, do të dalë në pah edhe sa reale ishte rritja e çmimit të energjisë në kushtet e prodhimit të bollshëm vendas në një vit të lagësht si ky.
Buxheti
Deputetja e PS-së akuzon Qeverinë dhe për miratimin e një akti normativ që ndryshon treguesit e buxhetit. Sipas Meksit, ky akt normativ i miratuar më 23 dhjetor të vitit 2009 rrit deficitin buxhetor nga 50 miliardë lekë, sipas parashikimit në buxhetin fillestar, në 81,6 miliardë lekë. Ndërkohë që për të tretën herë qeveria detyrohet të korrigjojë drejt uljes të ardhurat e buxhetit: nga 335 miliardë që u parashikuan në buxhetin fillestar, në 326 miliardë me rishikimin e tetorit dhe tashmë në 320 miliardë lekë. “Deficiti buxhetor, si kurrë më parë, nga 4,2 për qind të PPB të programuar në fillim, tejkalon nivelin e korrigjuar të tetorit prej 6,3 për qind, për të arritur shifrën 7 për qind të PPB. Përtej deklaratave populiste, ky akt normativ ka cenuar rëndë ekuilibrat makroekonomike, për të cilët opozita prej kohësh ka apeluar për maturi. Për ne është përsëri shqetësues fakti që Qeveria ka programuar sipas këtij akti normativ një shifër të parealizueshme të ardhurash prej 320 miliardë, kur të ardhurat e 11-mujorit u realizuan vetëm 268 miliardë lekë”, - tha Meksi. Kjo situatë, sipas saj, nuk mund të quhet më paaftësi parashikuese e qeverisë, por fshehje e qëllimshme e realitetit me pasoja të rrezikshme.

Ky lajm është publikuar: 12/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›