Deputetët e PS: “Ndihmat e shtetit, të pamjaftueshme”
Autori i Lajmit: Redaksia
Banorët e Shkodrës, të evakuuar nga zonat e përmbytura, nuk po furnizohen si duhen me ushqime. Kjo është akuza e bërë nga deputeti Tom Doshi, i cili ishte dje në Dajç të Shkodrës. Ai u bëri apel qeveritarëve të mos flasin nga zyrat e Shtabit, por të ballafaqohen me njerëzit në komunën Dajç. “Ta marrin vesh të gjithë shqiptarët, se në çfarë gjendje janë këta njerëz. Të mos dëgjojnë prononcimet që bën Jozefina, as Lul Basha, te Harku i Bërdicës. Nuk ka problem Harku i Bërdicës, por të vijnë të ballafaqohen me këtë popull. Kemi ecur 13 km nëpër ujë, që nga ura e Bohçallëkut, vetëm që të vijmë e ti shohim këta njerëz, se nuk lënë as mediat me u fut këtu, për të parë se çfarë probleme ka zona. Këtë problem e ka gjithë Dajçi. Të mos prononcohet as kryetari i komunës prej Oblikut, por të vijë të ballafaqohet me këta njerëz. Ky është realiteti, kjo është e vërteta”, - ka pohuar ai. Doshi u bëri thirrje gjithë banorëve të Shkodrës, që kush ka mundësi ti ndihmojë këta njerëz edhe me bazë ushqimore për bagëtitë. “Këta banorë nuk kanë parë as pushtetin vendor, as pushtetin qendror, nuk ju ka ardhur kush, as ushtria, as policia. Ky është realiteti, jo prononcimet që bëhen te Shtabi i Emergjencës, që thonë situatën e kemi nën kontroll”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 12/01/2010