E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha tallet me të moshuarit, kur flet për pensionet

Kryebashkiaku Rama takon të moshuarit duke kritikuar ashpër politikat e ndërrmarra nga qeveria për pensionistët

Pensione qesharake, përbuzje, të moshuarit kërkojnë vëmendje nga shteti në ditën ndërkombëtare

Një jetë e tërë e kaluar në fronte të vështira. Fati e desh që ata të ishin brezi i vuajtur, krahu i punës dhe truri që ngriti Shqipërinë e rrënuar nga hiçi në një vend të jetueshëm, duke lënë pas mizerjen dhe prapambetjen. Nëse ekziston dikush që duhet falënderuar janë pikërisht ata, të rinj e të reja, sot të moshuar që me punën e tyre ngritën nga themelet këtë infrastrukturë që ne gëzojmë edhe sot, pothuajse dy dekada pas rrëzimit të sistemit komunist. Dje ata kishin ditën e tyre. Dje ata ishin më të varfër se kurrë. Pa mbështetje, me pension qesharak, herë me bukë e herë pa bukë, të moshuarit mbeten shtresa më e diskriminuar e shoqërisë shqiptare. Kryetari i Bashkisë Edi Rama, duke shprehur admirimin dhe mirënjohjen e tij personale për të moshuarit, nuk kishte se si të mos prekte në takimin e djeshëm me pensionistët problematikat që shqetësojnë shtresën më të vuajtur të popullsisë. Ai kërkoi nga politika që të hedhë sytë nga pensionistët si një detyrim kombëtar dhe falënderim për punën që ata kanë bërë ndër vite. Në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës por edhe si lider i opozitës, Rama u premtoi të moshuarve rikthimin e dinjitetit të munguar gjatë këtyre 17 viteve të qeverisjes në Shqipëri, duke u ofruar vëmendjen dhe gadishmërinë e Bashkisë së Tiranës dhe strukturave të saj, për përmirësimin e jetesës së kësaj pjese të rëndësishme të shoqërisë sonë. Kryebashkiaku Rama, në përshëndetjen e rastit të mbajtur kritikoi ashpër politikat e ndjekura nga qeveria për pensionistët. Ai e ka cilësuar minimumin jetik të nxjerrë nga qeveria si të gënjeshtërt dhe që nuk përputhet aspak me realitetin ekonomik në vend. “Sot, në qytet, një pensionist apo pensioniste merr 130 mijë lekë në muaj, ndërkohë që në statistikat e këtij shteti, që ju e dini shumë mirë se sa i besueshëm është kur flet për shifra, duhen 800 mijë lekë për një familje normale, pra të përbërë prej 4 personash që të kapë fundin e muajit, duke plotësuar shërbimet elementare për ushqim, veshje, ilaçe. E pra, në rast se marrim një çift pensionistësh me 260 mijë lekët e veta, jemi larg së pasuri shumën që duhet për një person të vetëm, ku për të përballuar këtë jetesë fatura e energjisë është rritur 55 për qind, çmimi i bukës është rritur 45 për qind, vaji, sheqeri janë dyfishuar dhe ku një pjesë shumë e rëndësishme e ilaçeve nuk janë sot të rimbursueshme”. Shqipëria duhet të përmbysë raportin e vendosur me të moshuarit. Ata nuk mund të trajtohen më si qenie të dorës së tretë dhe mos më keq. “Është tallëse që sot të bësh atë që bën Kryeministri ynë, të dalësh përpara shqiptareve dhe shqiptarëve të moshës së tretë dhe t’u thuash se i ke rritur kaq e aq pensionet, ndërkohë që nuk arrin dot t’u shpjegosh se si ka mundësi që megjithëse u ke rritur pensionet, sot këta njerëz, kjo kategori, këta pensionistë e pensioniste blejnë me më shumë vështirësi ushqimin e tyre të përditshëm dhe e kanë shumë më të vështirë të përballojnë sëmundjet e tyre apo nevojat për mjetet minimale sociale, siç është leximi i një gazete. Ç’do të thotë janë rritur pensionet kur është ulur fuqia blerëse? Ç’do të thotë janë rritur pensionet kur sot pensionistëve dhe pensionisteve iu dridhet më shumë dora kur duhet të blejnë bukën, vajin, sheqerin, frutat apo kur duhet të paguajnë çmimin e energjisë elektrike, apo të trokasë tek mjeku me shpresën tek Zoti, se receta e tyre nuk do të përmbajë ilaçe që nuk janë të rimbursueshme.”

Kryebashkiaku Rama

“Pensionistët ndihmohen duke rinovuar politikat ndaj tyre”

Përgjigjia e vetme e pyetjeve që mundojnë sot moshën e tretë, sipas kryebashkiakut Rama, është çlirimi i Shqipërisë nga trysnia e politikës përbuzëse që është ndjekur deri më tani ndaj kësaj shtrese. “Në këtë sens, unë jam besimplotë se ne mund ta çlirojmë gjithë Shqipërinë, mund të çlirojmë çdo shqiptar dhe shqiptare, mund të çlirojmë çdo pensionist dhe pensioniste nga trysnia e kësaj politike përbuzëse, në raport me të vërtetën dhe në raport me vuajtjet dhe sakrificat si dhe vështirësitë e jashtëzakonshme të jetës tuaj të përditshme, që do të thotë t’i japësh dinjitet qeverisjes së vendit, t’i japim dinjitet përfaqësimit politik, t’i japim dinjitet marrëdhënies së komunikimit mes atyre që janë në qeverinë e vendit për të shërbyer dhe jo për të rrëmbyer dhe atyre që zgjedhin qeverinë e vendit për të qenë të shërbyer dhe jo të rrëmbyer. Unë jam absolutisht i bindur që është e mundur, në rast se ne jemi të gjithë bashkë të vendosur, për t’i dhënë fund një kapitulli përbuzjeje të politikës ndaj njerëzve, një kapitull i talljes së politikanëve ndaj njerëzve, një kapitull i gënjeshtrës, bazuar në shifra dhe në fakte që janë tërësisht tjetër në letër dhe tërësisht tjetër në tryezën e familjes”, ka përfunduar fjalën kryebashkiaku Rama duke premtuar edhe njëherë politika të reja qeverisëse ndaj moshës së tretë.

“Më lejoni që t’ju them se sa në borxh ndihem personalisht dhe të gjithë ne, në raport me ju, sepse jemi të vetëdijshëm që ajo që ju keni bërë për këtë vend, jo vetëm është e pashlyeshme, por më shumë akoma, është një kontribut për të cilin edhe shumë gjëra që mund të ishin bërë nuk janë bërë. Në këtë aspekt, unë dëshiroj t’ju shpreh edhe njëherë tjetër, në këtë ditë ndërkombëtare, bindjen time se këtë borxh të pashlyeshëm që kemi ndaj jush, ne gjenerata e re, përmes një politike të re, mund ta zbusim, duke bërë gjithçka që nuk është bërë në gjithë këto vite tranzicioni shumë të vështirë, kostot e të cilit i kanë paguar pa dyshim të gjithë qytetarët dhe qytetarët e këtij vendi që kanë jetuar dhe jetojnë me punën e tyre të ndershme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›