E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurime të detyrueshme për të marrë shërbime shëndetësore

Sipas projektligjit të ISKSH-së për “Sigurimet Shëndetësore” institucionet shëndetësore do kenë pavarësi ligjore dhe financiare

Projektligji

Institucioneve shëndetësore do t’u ndryshojë statusi ligjor dhe financiar. Kjo parashikohet në projektligjin e Sigurimeve Shëndetësore hartuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë. Sipas burimeve zyrtare të ISKSH-së këto institucione përfshi poliklinikat, spitalet, qendrat shëndetësore do të fitojnë pavarësi reale ligjore e financiare, ndërkohë që do të ruajnë në mënyrë absolute karakterin e tyre publik. “Kjo do të zbatohet pasi shteti, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, i krijon, i licencon, i regjistron, i mbikëqyr dhe monitoron cilësinë e shërbimit, por, nga ana tjetër, ato fitojnë personalitet juridik, kanë llogari të veçantë bankare, duke pasur kështu të drejtën për të kontraktuar me sigurimet shëndetësore për shitjen e shërbimeve të tyre”,- pohojnë burime zyrtare të ISKSH-së. Madje specialistët pohojnë se për këto institucione me anë të përfaqësuesve ose organizimeve të tyre, kanë të drejtë të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe negociatave për të gjitha çështjet që lidhen me dhënien e shërbimit shëndetësor dhe të financimeve të tij. Kështu specialistët shpjegojnë se do të krijohet Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor i cili ka qëllim pikërisht financimin e shërbimeve shëndetësore nëpërmjet sistemit të sigurimeve të detyrueshme shëndetësore, i përgatitur nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) dhe paraqitur tashmë në qeveri. “Projektligji parashikon që Fondi të jetë i ndarë nga buxheti i shtetit dhe të sigurojë fleksibilitet në financimin e shërbimeve shëndetësore, transparencë në administrim dhe besueshmëri maksimale të të siguruarve, që kanë derdhur kontribute pranë tij”,- pohojnë specialistët e ISKSH-së duke shpjeguar se në bazë të projektligjit, Fondi është përgjegjës për paratë që publiku ka derdhur për shëndetësinë, ndaj atij i duhet të jetë i mbrojtur nga përplasjet dhe kompromiset e politikës shqiptare. Ndërkohë, mbledhja e kontributeve për sigurimin shëndetësor të detyrueshëm, sipas projektligjit, kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila ia transferon ato Fondit, ndërsa kontributet e fermerëve mblidhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kontributet e mbledhura nga DPT dhe ISSH transferohen drejtpërsëdrejti në Fond, në përputhje me VKM përkatëse. MSH: Do ketë qendër kardiokirurgjie për fëmijët

Fëmijët që kanë probleme kardiovaskulare do të kenë mundësi të operohen në një pavijon të posaçëm pikërisht për ata. Kështu Ministria e Shëndetësisë mbështet idenë e krijimit të një qendre kardiologjike dhe të kardiokirurgjisë pediatrike pranë Qendrës Spitalore Universitare“Nënë Tereza” në Tiranë, për kryerjen e ndërhyrjeve kardiokirurgjikale tek fëmijët. Sipas këtij dikasteri ngritja e kësaj qendre kombëtare do të shërbejë për të përballuar sfidat në fushën e kardiokirurgjisë pediatrie, konsideron MSH. “Kjo është dhe mënyra më e mirë për menaxhimin sa më të përshtatshëm, sa më profesional dhe shkencor të kardiopative të lindura të fëmijëve në Shqipëri. Ndërhyrjet kirurgjikale për të rregulluar defektet e lindura tek fëmijët konsiderohen të vështira”,-pohojnë burime të Ministrisë së Shëndetësisë duke shtuar se specialistët italianë dhe profesori i njohur, Vittorio Vanini, kanë dhënë një asistencë të madhe në këtë drejtim dhe prej dy vjetësh këto ndërhyrje realizohen në kardiokirurgjinë e spitalit pediatrik. Ndërkohë të dhënat statistikore tregojnë nga 50 mijë lindje në vit, 400 fëmijë lindin me defekte në zemër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›