E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e 17-vjeçares Petriti, mjeku Hoxhallari përfundon në Gjykatë

DOSJA

TIRANË- Prokuroria e Tiranës përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale të mjekut Xhevahir Hoxhallari i akuzuar për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm” pas vdekjes së 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti, e cila ndërroi jetë pasditen e 29 Prillit të këtij viti, vetëm pak ditë pas operimit të bajameve nga doktori tashmë i pandehur. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët nënvizuan se me përfundimin e ekspertizës së përpiluar nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore rezultoi se vdekja e vajzës 17- vjeçare ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së gabuar gjatë operimit të bajameve dhe moskujdesit të vazhdueshëm pas kryerjes së kësaj ndërhyrjeje mjekësore. Sipas raportit të akt-ekspertimit, mjeku Hoxhallari ka gabuar vetëm disa milimetra në ndërhyrjen kirurgjikale, për heqjen e bajameve, duke i prekur arterien kryesore të qafës, që ka sjellë disa herë pas operacionit hemorragji të madhe, çka solli edhe vdekjen e vajzës. Kështu, dosja tashmë ndodhet në duart e kryesekretarisë së Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pritet brenda këtyre ditëve që çështja të hidhet në short elektronik për caktimin e tre gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e mjekut Hoxhallari. Sipas kërkesës për gjykim, mjeku paraditen e 7 Prillit të këtij viti me kërkesë të familjarëve të vajzës ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën e tij në Pogradec dhe pas keqësimit të gjendjes së vajzës, ajo është sjellë në Tiranë, duke u ri- operuar në spitalin Francez që ndodhet brenda ambienteve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” . Vetë i pandehuri Hoxhallari dhe mbrojtësi i tij ligjor ka pretenduar gjatë marrjes së deklarimeve të tij, se ndërhyrja kirurgjikale ka qenë e suksesshme, dhe gjakderdhjet e shkaktuara kanë ardhur nga ngacmimet e plagës me sende të forta apo kollitje të rënda të vajzës. Por, ky pretendim është hedhur poshtë nga organi i akuzës, i cili ka dorëzuar raportin e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të cilët kanë nxjerrë përfundimet se vajza është keqoperuar nga mjeku Hoxhallari. Pas, këtij konkluzioni Prokuroria e Tiranës ka kërkuar nga Gjykata të pezullojë aktivitetin mjekësore të mjekut Hoxhallari deri në përfundim të procesit gjyqësor, por togat e zeza e kanë refuzuar pjesërisht këtë kërkesë, duke i dhënë të drejtën mjekut të kryejë vetëm vizita konsultative. Gjithashtu, është urdhëruar dhe ndaluar të kryejë ushtrimin e profesionit në klinikat private, si edhe duke ia mbyllur klinikën e tij në qytetin e Pogradecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›