E Diel, 1 Nëntor 2026

Çekët blejnë borxhet e OSSH-së

Konsulenti i qeverisë, Angelo Dell’Atti, deklaroi dje se CEZ ka marrë përsipër të paguajë 15.6 miliardë lekë borxhe

Energjia

TIRANË- Kompania çeke, CEZ, e vetmja e kualifikuar në tenderin për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes( OSSH) ka pranuar të paguajë të gjithë borxhin që i është alokuar këtij operatori nga huatë afatgjata, që qeveria shqiptare ka marrë për sektorin e energjisë. Konfirmimin e ka dhënë konsulenti i qeverisë shqiptare, përfaqësuesi i kompanisë International Finance Corporation (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, Angelo Dell’Atti, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetarin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për Privatizimin e OSSH-së, Neritan Alibali. Ai ka bërë të ditur se kompania finaliste CEZ përveç ofertës prej 102 milionë euro për kapitalin e OSSH-së, është e gatshme që të paguajë edhe gjithë borxhet e huaja që ka marrë qeveria shqiptare në vite për investime në këtë sektor, borxhe që kapin vlerën e afro 16 miliardë lekëve të reja, shumë kjo që rezulton të jetë edhe më e madhe se vetë çmimi i ofruar për asetet e OSSH-së. “Kompania ka pranuar të paguajë të gjithë borxhin afatgjatë që i është alokuar OSSH-së nga huatë afatgjata që qeveria shqiptare ka marrë për sektorin e energjisë. Vlera e këtij borxhi sipas bilancit të audituar të OSSH-së, të 31.12.2007, është 15.6 miliardë lekë,- tha konsulenti i qeverisë Angelo Dell'Atti. Kompania çeke, sipas konsulentit dhe Ministrisë së Ekonomisë, ka dhënë një ofertë prej 102 milionë eurosh, shumë më e lartë se vlera e aseteve të OSSH-së, që është llogaritur në 8 miliardë lekë, pa llogaritur këtu edhe vlerën e borxhit. Çmimi i ofruar, sipas tyre, është sa dyfishi i vlerës së kapitalit, por burime pranë Ministrisë së Ekonomisë bënë të ditur për gazetën se kjo shumë është e justifikuar se në vlerësimin fillestar të kapitalit nuk janë marrë parasysh vlera e investimeve që janë në realizim e sipër. Sipas konsulentit, përveç 102 milionë eurove si çmim për blerjen e 76 për qind të aksioneve, kompania çeke do të shpenzojë 200 milionë euro si investim në 5 vitet e ardhshme, si dhe 15 miliardë lekë për borxhet e OSSH-së. “Të tre këta tregues, çmimi i aksioneve, plus shlyerja e borxheve janë një vlerë e përgjithshme mbi 50 miliardë leke”, u shpreh Konsulenti i qeverisë nga IFC, Angelo Dell’ Azzi. Ndërkohë Dell'Atti sqaroi se procesi nuk ka mbaruar ende, duke qenë se negocimet përfundimtare midis kompanisë çeke CEZ dhe qeverisë do të fillojnë pasi kompania të shpallet zyrtarisht fituese e tenderit për privatizimin e 76% të aksioneve të OSSH-së. Sipas tij, privatizimi në fjalë përfshin vetëm asetet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, që do të thotë rrjeti i shpërndarjes, nënstacionet etj. Por as konsulenti dhe as përfaqësuesi i qeverisë, zëvendësministri Neritan Alibali, nuk kanë dhënë shifra konkrete për nivelin e humbjeve dhe arkëtimeve të energjisë që qeveria ka rënë dakord t’i njohë kompanisë. “Kontrata ka te bashkangjitur edhe dokumente të hartuara nga ERT për treguesit. Ka shifra të sakta që tregojnë se si do të jenë treguesit, por unë nuk kam autoritetin, pasi i përket ERT-se”, u shpreh Dell’Azzi. Në fjalën e tij, kreu i komisionit të vlerësimit të ofertave, Alibali tha se do të jetë qeveria ajo që shpall fituesin dhe se komisioni shumë shpejt do të dërgojë atje një raport vlerësimi.

Kreu i KLSH-së ka raportuar përpara Komisionit të Ekonomisë për realizimin e buxhetit të vitit 2007

KLSH: 63 për qind e tenderëve me shkelje

Pavarësisht deklarimeve të herëpashershme të kryeministrit për rritjen e efiçencës në administrimin e parave të taksapaguesve shqiptarë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paraqitur përpara komisionit parlamentar të Ekonomisë një panoramë krejt tjetër të situatës. Kreu i KLSH-së, Robert Çeku, ka raportuar dje përpara deputetëve në lidhje me rezultatet e kontrolleve që janë kryer për realizimin nga institucionet të buxhetit faktik për vitin 2007, duke evidentuar që në fillim faktin se gjatë këtij viti si pasojë e shkeljeve administrative buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dem prej 876.2 milionë lekësh. Dem ky i shkaktuar kryesisht për shkak të mosrealizimeve të buxheteve përkatëse të institucioneve, por edhe për shkak të shkeljeve në tenderë apo prokurorimet publike. Një tjetër problem që ngriti Çeku gjatë prezantimit të raportit të zbatimit të buxhetit të vitit 2007, ishte edhe ai që ka lidhje me borxhin tatimor dhe doganor. Sipas tij borxhi tatimor dhe ai doganor arrin në vlerën e 58.2 miliardë lekëve, vetëm 79 % e tij vjen vetëm nga tatimet. Kontrolli i Lartë Shtetit vëren në raportin e vet se gjatë vitit 2007 ka patur një përkeqësim të situatës përsa i përket tenderëve të realizuar. Sipas këtij raporti në 63 % të tenderëve që janë zhvilluar në vitin 2007 janë konstatuar shkelje. Ndërkohë nga ana tjetër, ministri i Financave, i pranishëm në këtë mbledhje të Komisionit të Ekonomisë, duke injoruar shifrat e servirura nga raporti i KLSH-së, ka folur vetëm për arritje të qeverisë së djathtë edhe në realizimin e buxhetit për vitin që lamë pas. Sipas tij rritja ekonomike në 2007 është mbi 6 % , ndërkohë që të ardhurat për këtë vit kanë qenë realizuar në masën 96 %. Bode cilësoi si problem realizimin e të ardhurave nga pushteti vendor si dhe realizimi i investimeve me fondet e huaja. Por shifrat e prezantuara nga Ministri Ritvan Bode janë kundërshtuar nga opozita, e cila nëpërmjet deputetit Arben Malaj, ish- ministër i Financave në kohën e qeverisjes socialiste, ka deklaruar të tjera shifra për realizimin e buxhetit të 2007. Sipas Malajt ritmet e rritjes së të ardhurave gjatë këtij viti janë ndaluar dhe se nuk janë plotësuar objektivat e qeverisë për 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›