Fullani: Kriza do të jetë e rëndë, qeveria të ketë kujdes me shpenzimet
Banka e Shqipërisë i është bashkuar dje zërave pesimistë në lidhje me krizën ekonomike në vend duke iu referuar të dhënave të saj. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha dje në mënyrë të drejtpërdrejtë se vendi do të futet në vështirësi të mëdha ekonomike dhe se mungesa e likuiditetit do të jetë një nga problemet më të mëdha të ekonomisë. Ai numëroi një sërë treguesish që do të rëndohen, si dërgesat e emigrantëve, eksportet, kreditë dhe depozitat etj. Që të gjithë këta tregues të rënduar do të përkeqësohen edhe më dhe kjo do të ndikojë në numrin e vendeve të punës, në konsumin e përgjithshëm dhe në rritjen e varfërisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ndonëse ishte i drejtpërdrejtë në ngritjen e shqetësimeve, nuk mori asnjë përgjegjësi në emër të institucionit të tij. Ai nuk foli asfare për masa që mund të marrë Banka e Shqipërisë, siç edhe nuk përmendi fare faktin që ulja e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë nuk ka dhënë asnjë efekt, por thjesht mund të ketë bërë që bankat e nivelit të dytë të fitojnë më shumë. Si asnjë bankë tjetër qendrore në botë, Banka e Shqipërisë ka qenë aktive vetëm me deklarata duke iu afruar në këtë mënyrë asaj që bën edhe qeveria, me përjashtim të faktit që banka ka qenë realiste në paraqitjen e të dhënave. Ajo ka thënë prej kohësh se kriza ka dhënë efekte dhe se ato do të thellohen. “Zhvillimet e ekonomisë globale sugjerojnë se ekonomia shqiptare duhet të përballet me një reduktim të nivelit të remitancave dhe të hyrjeve në përgjithësitë kapitale gjatë vitit 2009. Këto zhvillime përbëjnë një reduktim të mëtejshëm të mundësive të financimit të aktivitetit ekonomik të vendit, si dhe dëmtojnë balancat e kërkesës dhe të ofertës për valutë. Në optikën e Bankës së Shqipërisë, problemi kryesor me të cilin do të përballet ekonomia shqiptare gjatë vitit në vijim është mungesa e likuiditetit dhe e lidhur me të shtrëngimi i kushteve të aktivitetit ekonomik, çka do të thotë rënie e investimeve dhe humbje e vendeve të punës”, - tha guvernatori. Ai u shpreh se në këto rrethana kërkohet një eficiencë më e madhe e përdorimit të fondeve në sistemin bankar, nëpërmjet renditjes prioritare të shpenzimeve në funksion të impaktit që kanë mbi rritjen ekonomike të vendit. “Për më tepër BSH gjykon se sjellja e deficitit të llogarisë korente duhet të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Barazimi i këtij deficiti me hyrjet e reduktuara në llogarinë kapitale duhet të jetë një prioritet tjetër i zhvillimit të politikave ekonomike”, - tha ai. Guvernatori Fullani theksoi se “ky moment kushtëzon ndjeshëm ekuilibrat makroekonomikë dhe financiare të vendit” dhe për këtë arsye ai shprehu edhe angazhimin për mbajtjen nën mbikëqyrje nga ana e BSH.