E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha të ndalë ndërhyrjet në pushtetin vendor”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, së bashku me administratën e këtij institucioni kanë protestuar dje kundër vendimeve të Qeverisë, të cilat, sipas tyre, cenojnë pushtetin vendor. Pasditen e djeshme Rama ka deklaruar nga ambientet para Bashkisë së Tiranës se kryeministri duhet ti japë fund cenimit të pushtetit të vendorëve. Sipas tij, Berisha po ndërhyn në kompetencat e tyre duke shkelur rëndë plot shtatë herë Kushtetutën. Ai shtoi më tej se kërkon nga ekzekutivi taksa të ndara. Rama akuzoi qeverinë se ka ulur ndjeshëm investimet për Bashkinë e Tiranës dhe të gjitha grandet që pretendon ajo se i ka dhënë kësaj Bashkie, sipas Ramës janë vetëm gënjeshtra, ndërsa kërkoi që buxheti për njësitë vendore të ndahet në bazë të kritereve bashkëkohore. Kreu i Bashkisë pohoi se protesta e tyre do të vijojë edhe sot.

Deklarata

“Buxheti për njësitë vendore të ndahet në bazë të kritereve bashkëkohore. Ti jepet fund kësaj praktike, sepse edhe së fundi, qeveria e Sali Berishës gënjen se ka katërfishuar grandet ndaj Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës ka fituar dy herë më pak sesa ka marrë vite më parë”, - theksoi Rama. Kryebashkiaku shtoi se kërkon nga qeveria të aplikojë taksa të ndara, ashtu sikurse ndodh në të gjitha vendet evropiane. “Kemi kërkuar të aplikojmë taksat e ndara, ashtu sikurse e parashikon ligji. Nuk është faji im që këta njerëz që qeverisin nuk e dinë ligjin, sepse jemi i vetmi vend në Evropë që nuk i kemi taksat të ndara”, - vijoi Rama gjatë protestës. Duke folur për ndryshimet mbi taksat vendore gjatë vitit të ardhshëm, Rama tha se më shumë se gjysma e bizneseve do të falimentojnë, prandaj kërkoi nga qeveria të anulohet vendimi për biznesin e vogël. Kryetarët e bashkive dhe komunave që drejtohen nga socialistët protestuan më 15 nëntor para Kryeministrisë për cenimin e autonomisë lokale, që sipas tyre, po bën Qeveria. “Nga paaftësia e qeverisjes, qytetarëve të Tiranës dhe jo vetëm, u shkaktohen gjithnjë e më shumë probleme. Qeveria nuk do dhe nuk di ti zgjidhë problemet”, - u shpreh Rama. Në këtë protestë të parë të vendorëve socialistë u firmos edhe apeli publik drejtuar Berishës, ku i kërkohej ti jepej fund politikës antidemokratike, antikushtetuese dhe antiligjore ndaj pushtetit vendor. “Ne kërkojmë angazhimin tuaj për plotësimin e 5 kushteve tona deri në 5 dhjetor”, - ka deklaruar Rama rreth 2 javë më parë. Kërkesat e bëra nga drejtuesit lokale vendore konsistojnë në anulimin e amendamentit për taksat vendore, anulimin e vendimit që i konsideron bizneset e vogla, si të mëdha, kompensimin e të ardhurave nga përgjysmimi arbritrar i taksave të biznesit, dhënien fund të praktikës se granteve për nevojat e funksioneve vendore, si dhe aplikimin e taksave të ndara.

Ky lajm është publikuar: 03/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›