E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha vijon të mohojë krizën

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi sërish nga qeveria që të marrë përgjegjësitë dhe të menaxhojë pasojat e krizës ekonomike. Gjatë një takimi me vullnetarët në Shijak, Rama ka bërë apel për qeverinë dhe Kryeministrin të mos tregohen shurdh përpara rekomandimeve, jo vetëm të opozitës, por në radhë të parë të organizmave financiarë ndërkombëtarë.

"Sot Shqipëria po zhytet përditë në barrën e një krize ekonomike, që sigurisht në zanafillën e vet nuk është përgjegjësia e qeverisë sonë, sepse është një krizë globale, por po shkon duke u thelluar, sepse qeveria jonë dhe Kryeministri ynë nuk duan ta pranojnë krizën", tha Rama. Sipas tij, Shqipëria rrezikon të zhytet shumë më thellë për shkak se qeveria jonë, Kryeministri ynë, e mohon krizën, e bëjnë veshin shurdh ndaj kambanave të alarmit, që partnerët tanë ndërkombëtarë vënë, që ne të dëgjojmë. "E bëjnë syrin qorr përballë realitetit të familjeve shqiptare, që e kanë gjithmonë e më të vështirë të nxjerrin fundin e muajit", vijoi kreu socialist. Rama përmendi çështjen e papunësisë e bujqësisë, biznesit, probleme për të cilat edhe pse i vuajnë qytetarë të thjeshtë, qeveria nuk do t‘ia dijë për ta. "Interesat për pushtetin e tij personal janë shumë më të mëdha dhe shumë më të rëndësishme se sa interesat e familjeve shqiptare, se sa interesat e vendit", deklaroi kryesocialisti. Pak ditë më parë, kreu i opozitës bëri edhe disa propozime për mënyrën se si qeveria duhet ta menaxhojë krizën. PS-ja propozoi që qeveria të pranojë krizën, të kthejë buxhetin në realitet, të mos vendosë taksa abuzive për biznesin etj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›