E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, brenda 3 muajve pronarët dëmshpërblehen

Ka kaluar vetëm një muaj nga ndarja e lejeve të para të legalizimit, por sipas ligjit tre muaj nga dhënia e lejes së legalizimit, pronari i tokës merr lekët, duke u kompensuar për pronën e zënë. "Ligji e ka të përcaktuar qartë, brenda tre muajve qeveria ka si detyrim që të çelë fondin e kompensimit. Por, duhet pak kohë për krijimin e një fondi që do të kalojë nga njëra palë në tjetrën", thotë Ferdinand Shehu, nëndrejtori i Agjencisë së Legalizimit. Ndërkohë, çdo individ që ka një objekt për legalizim, duhet t‘i kryejë sa më parë pagesat, pasi vetëm në momentin që ai i ka shlyer të gjitha taksat dhe detyrimet e tjera, mund të marrë lejen e legalizimit në dorë. Në këtë mënyrë krijohet edhe fondi për të kompensuar ish-pronarët, një pjesë të fondit do ta marrin njësitë vendore për urbanizimin. Ai që i legalizohet ndërtimi pa leje, përveçse lejes së legalizimit, ka dhe hartën dhe gentplanin. E njëjta dosje dërgohet edhe në Hipotekë. "24 orë para dhënies së lejes së legalizimit dokumentacioni shkon në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për t‘u kryer regjistrimi fillestar. Hipoteka ka si detyrim që të kryejë regjistrimin brenda dy javëve. Dhe nga informacionet që unë kam, regjistrimi ka nisur në zyrat e Vlorës, Tiranës, Durrësit, Fierit. Aty ku janë dhënë lejet e legalizimit", thotë Ferdinand Shehu, nëndrejtori i ALUIZNI-it. "Ndërkohë ka përfunduar hedhja elektronike e 170 mijë dosjeve. Duhet pasur parasysh që një dosje mund të përmbajë brenda dhe dhjetë objekte të tjera, të cilët legalizohen, sikundër është rasti i shtesave pa leje", shpjegon Shehu.

Ka përfunduar kualifikimi i 60 për qind të ndërtimeve pa leje, që do të thotë se qytetarëve iu ka shkuar në shtëpi me postë vërtetimi ku shkruhet nëse prishet ose jo ndërtimi pa leje dhe sa lekë do të paguajnë. Ndërkohë, dy vjet më parë kur ka nisur ky proces janë vetëdeklaruar 360 mijë objekte pa leje.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë është vendosur të jetë 4300 lekë të reja. Ndërkohë, penalizimet për pagesa për truallin variojnë nga 100 mijë lekë të reja deri në 400 mijë lekë. Kjo për sipërfaqe deri në 500 metra katrorë.

Nëse ke rrethuar mbi këtë sipërfaqe dhe qytetari kërkon ta mbajë atëherë diferencën e metrave katrorë do ta paguajë sipas çmimeve të tregut. Në raste të tilla do të përdoret harta e vlerës së tokës, e cila është miratuar në muajin nëntor të vitit të kaluar nga qeveria. Ndërkohë, kur toka ka ish-pronarë ata do të dëmshpërblehen për sipërfaqen e marrë sipas çmimeve të vendosura në hartën e vlerës së tokës. Deri tani, 1/6 e ndërtimeve pa leje figurojnë në tokat e ish-pronarëve. Ish-pronarët verifikohen në Hipotekë, pasi ata vendimin e kthimit të pronave duhet ta kenë edhe atje.

Ndërsa kur ke vendim të njohjes së kthimit të pronës nga Agjencia e Legalizimeve, e cila është e paregjistruar në Hipotekë, deri në momentin kur jepet leja e legalizimit atëherë kompensimin e ka për detyrë ta bëjë Agjencia e Kthimit të Kompensimit të Pronave.

Reagimi

Biçoku: Jo KRRT, pa miratimin e Planit Urbanistik

Drejtori i Politikave të Planifikimit Urban, në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Marin Biçoku, ka paralajmëruar kreun e Bashkisë së Tiranës se nuk do të merren me asnjë leje ndërtimi në KRRT, në rast se nuk miratohet Plani Rregullues i kryeqytetit. Një reagim i tillë ka ardhur menjëherë pas ftesës që kryebashkiaku ka bërë për të mbledhur ditën e dielë Këshillin e Rregullimit të Territorit të Tiranës. "Kryetari i bashkisë ka lajmëruar një mbledhje tjetër KRRT-je për të miratuar lejet dhe projektet e studios së Alban Eftimit. Kjo është e papranueshme. Kemi kërkuar miratimin e planit e nuk do të pranojmë leje ndërtimi, pa një plan rregullues të miratuar", shprehet Biçoku. Sipas tij, qeveria dhe donatorët i kanë dhënë bashkisë 1,5 milionë dollarë për hartimin e planit, dhe kanë pranuar 4 herë zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës me të vetmin qëllim, që Tirana të bëhet me plan. "Ka katër muaj që plani është mbaruar dhe nuk paraqitet për miratim sipas ligjit. Ky është vullneti politik i kryetarit të bashkisë, për të vazhduar abuzimin me lejet dhe për të konsoliduar praktikën korruptive, në funksion të mbledhjes së parave për fushatën elektorale", përfundon deklaratën e tij, Marin Biçoku, drejtor i Politikave të Planifikimit Urban në MPPTT. Kjo ministri vetëm pak pas mbledhjes së fundit të KRRT-së kërcënoi se do të bëjë nul të gjitha lejet e ndërtimit të dhëna aty, në konflikt të hapur interesi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›