E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha zgjedh vjedhjen e votave përpara integrimit

29/02/2012  Reforma zgjedhore, nuk reshtin deklaratat akuzuese mes PS e PD

Integrimi i vendit dhe pengesat që dalin gjatë kësaj rruge ushqejnë për çdo ditë debatin politik. Dy drejtuesit kryesorë të politikës nuk reshtin së akuzuari njëri-tjetrin si bllokues të reformave që lidhen drejtpërsëdrejti me realizimin e një procesi të tillë. Së fundi ishte kreu i Partisë Socialiste që listoi një sërë etiketash në adresë të kreut të ekzekutivit, duke e fajësuar për mungesë vullneti për realizimin e reformës zgjedhore. “S’ka dyshim që Kryeministri preferon jo vetëm këtë sistem zgjedhor pa asnjë përmirësim, që do të rriste fuqinë e votës, duke rritur mundësinë e përfaqësimit edhe për partitë e vogla, gjë që ne e mbështesim plotësisht, por duket qartë se Saliu preferon mbajtjen e të njëjtit sistem administrimi, ku ka mundur të mbjellë e të rrisë farën e keqe të korrupsionit zgjedhor e për pasojë të vjedhjes së zgjedhjeve”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij të mbajtur përpara ligjvënësve socialistë. I pranishëm në mbledhjen e radhës të grupit kuvendor të PS-së, Rama shkoi më tej në kundërvënien e tij. “Mbase mes statusit të kandidatit për Shqipërinë dhe statukuosë ligjore e logjistike që i hap rrugë vjedhjes së zgjedhjeve të ardhshme, kryeministri shqiptar është gati të zgjedhë statukuonë”, - vlerësoi Rama sa i takon një çështjeje të tillë. Në gjykimin e kryetarit të socialistëve një qëndrim i tillë i mazhorancës qeverisëse është në dëm të vendit, pasi sërish do të përballemi me një përgjigje negative nga BE-ja. “Kjo është në dëm të Shqipërisë e të shqiptarëve, që për fajin e qeverisë mund të turpërohen për të tretën herë këtë vit si një klasë ngelësish në provimet e Bashkimit Europian, në dëm edhe të zgjedhjeve, që pa dyshim për fajin e Saliut personalisht mund të manipulohen e vidhen për të tretën herë; në dëm të çdo qytetari që ka humbur besimin se vota e tij mund të vlejë për ndryshimin e domosdoshëm dhe në dëm të vetë ndryshimit, që mund të vijë vetëm përmes votës së lirë”, - u shpreh Rama.

Qëndrimi

“Zgjedhja jonë është e qartë: statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është interes kombëtar, që s’mund të tradhtohet për asnjë interes tjetër partiak apo personal, kurse kryerja në kohë e reformës zgjedhore dhe më pas mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme përbëjnë mishërimin e vetë interesit kombëtar në funksion të ‘Rilindjes Shqiptare’, që është sot në rendin e ditës për të nxjerrë vendin nga prapambetja dhe që është edhe vizioni ynë për të ardhmen”, - u shpreh kreu i PS-së, Edi Rama, lidhur me zhvillimet politike në vend, zhvillime të cilat janë të lidhura ngushtësisht me procesin integrues të vendit tonë. Sipas tij, PS-ja do të vazhdojë me seriozitetin më të madh dhe angazhimin më të plotë kryerjen e çdo detyre që ka të bëjë me shprehjen e vizionit të Shqipërisë europiane. Kjo pasi në vlerësimin e Ramës ky vizion është një me interesin e kombit e të popullit shqiptar.

12 prioritet e BE-së

Bushati: Përpjekje maksimale për realizimin e procesit

Kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, Ditmir Bushati, bëri një përmbledhje të punës së kësaj partie në funksion të realizimit të planit të veprimit në përgjigje të 12 prioriteteve kryesore që ka identifikuar Komisioni Europian në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për në Bashkimin Europian. “Në përputhje me angazhimet që kemi marrë përsipër si opozitë, sidomos për prioritetet e një karakteri e rëndësie të veçantë politike, do të thosha, siç janë ato që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, reformën parlamentare, miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo emërimin e institucioneve kryesore: Avokati i Popullit dhe emërimet në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese”, - u shpreh Bushati në raportimin e tij përpara deputetëve të PS-së. Gjithashtu, duke vijuar më tej në këtë linjë deputeti Bushati shtoi: “Si Komision parlamentar i Integrimit Europian jemi përpjekur maksimalisht për ta lehtësuar të gjithë procesin e kontributeve të këtyre aktorëve që përmenda në procesin e planit për 12 pikat. Besoj se është i njohur qëndrimi i BE-së për sa i përket emërimit të Avokatit të Popullit.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›