E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet, pa kamatëvonesat deri në 31 Dhjetor

 
Qeveria ka miratuar për çdo vit, ligj për faljen e kamatëvonesave për sigurimet shoqërore
 
Rreth 640 mijë kontribuues të sigurimeve shoqërore do mund të paguajnë deri në datën 31 dhjetor të këtij viti pa kamatë
Sigurimet shoqërore mund të paguhen pa kamatëvonesa deri në fund të këtij viti. Ky ka qenë vendimi që është marrë nga qeveria, për të tërhequr sa më shumë kontribuues në këtë skemë. Nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore, Astrit Hodo ka bërë të ditur se deri në fund të këtij viti, të gjithë ata që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore do të mund që t'i paguajnë pa kamatëvonesa. "Derdhja e sigurimeve shoqërore do t'i sigurojë kontribuuesve një pension të sigurt pleqërie dhe një sërë shërbimesh",- ka bërë të ditur Hodo.
Ligji
Kamatëvonesat që rezultojnë për t'u paguar nga ana e ndërmarrjeve dhe shoqërive me kapital tërësisht shtetëror, institucioneve shtetërore, buxhetore e jobuxhetore, ndërmarrjeve dhe shoqërive me kapital të përbashkët me shtetin, personave juridikë, fizikë e privatë dhe personave të vetëpunësuar në bujqësi, u falen kamatëvonesat e kontributeve të sigurimeve të detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, të papaguara deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kusht që detyrimet për kontributet të arkëtohen brenda datës 31.12.2007. Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore, ka propozuar gjithashtu që kamatëvonesat e papaguara, falen edhe kur kontributet për Sigurimet e Detyrueshme Shoqërore dhe Shëndetësore, janë paguar para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ndërsa, përsa u përket të gjithë atyre që kanë paguar kamatëvonesat para hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk parashikohet ndonjë masë prapavepruese.
ISSH-ja, fal kamatëvonesat për të vetëpunësuarit në bujqësi
Për të gjithë fermerët e vetëpunësuar në bujqësi, do të falen gjobat për kontributet e papaguara. "Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) i ka falur gjobat ose kamatëvonesat për kontributet e papaguara në skemën e sigurimeve shoqërore nga fermerët shqiptarë. Për një periudhë pothuajse për një vit, fermerët nuk i kanë paguar kontributet e caktuara të sigurimeve shoqërore, por përsëri skema aktuale e këtyre sigurimeve i lejon fermerët që t'i paguajnë këto kontribute aq sa janë, pa kamatëvonesë. Skema aktuale e sigurimeve shoqërore pranon të gjithë fermerët që s'kanë paguar edhe për një kohë më të gjatë kontribute të sigurimeve shoqërore. Dy arsyet kryesore të faljes së gjobave për fermerët, janë: të ardhurat e pamjaftueshme të fermerëve për financimin e kontributeve, si dhe integrimin gjithnjë e më shumë të kësaj pjese të popullsisë, në skemën e sigurimeve shoqërore.
Ndërmarrjet shtetërore, kriza financiare bllokon sigurimet
Një pjesë e mirë e ndërmarrjeve shtetërore kanë si problem kryesor të tyrin, vështirësitë financiare në pagesën e sigurimeve shoqërore. Një fakt i tillë tashmë është i përsëritur në vite. Edhe në fund të vitit 2005 qeveria miratoi një projektligj, me anë të të cilit falte kamatëvonesat për ndërmarrje të caktuara, siç ishte edhe ajo e Ujësjellës-Kanalizimeve. E njëjta situatë është përsëritur me faljen e kamatëvonesave edhe në vitin 2004 dhe në 2003. Madje në mbledhjen e një jave më parë të qeverisë dhe në mbledhjen e fundit, qeveria ka derdhur fonde nga buxheti i shtetit për të siguruarit e ndërmarrjeve shtetërore, duke i ardhur në ndihmë buxheteve të këtyre kompanive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›