Rama: Burimet natyrore shfrytëzohen barbarisht nga klientelistët e qeverisë
Në tryezën e Partisë Socialiste për energjinë, në kuadër të nismës Për një Rilindje Shqiptare, kryetari Rama u shpreh se burimet e energjisë në vend po shfrytëzohen për përfitime personale nga një grup sipërmarrësisht klientelistë të qeverisë, të cilët po nxjerrin përfitime kolosale financiare në dëm të popullit.
Është një model klientelist që pengon konkurrencën, transparencën dhe efiçencën dhe sot qeveria i ka shtrirë monopolet në shfrytëzimin e pasurive natyrore duke vënë një të mirë publike në shërbim të një pakice sipërmarrësit klientelistë të qeverisë të lidhur me interesat politike dhe financiare të një grupi në qeveri që kontrollon këtë fushë, theksoi Rama.
Duke u ndalur te enrgjia elektrike, Rama tha se çmimi i saj është rritur në mënyrë të padrejtë, ndërkohë që vendi rrezikon kolapsin energjetik.
Kriza e CEZ-it tani është shtrirë tërësisht në KESH. Burimet natyrore shfrytëzohen pambarimisht dhe ne importojmë energji elektrike me 60 euro dhe eksportojme me 40 euro. Humbja nga keqpërdorimi i energjisë elektrike qoftë për shkak të mungesës apo për shkak të korrupsionit është e barabartë me gjithë prodhimin e Vaut të Dejës. Sot energjia elektrike është 65 % më ë shtrenjtë se viti 2003, nafta 3 herë më e shtrenjtë, dhe këtu nuk ka keqkuptim, tha Rama.
Gjithashtu, sipas kreut të PS-së, sektori i industrisë së naftës ndodhet sot në krizë për shkak të kontrabandës, ndërsa burimet natyrore shfrytëzohen barbarisht nga njerëz pranë pushtetit.
Evazioni fiskal po lulëzon, u konfirmua me fakte se kontrabanda e naftës është një aktivitet kriminal, por e organizuar politikisht. Shumë projekte koncesionare kanë injoruar impaktin në mjedis. Bota e ka një fabrikë çimentoje për 7 milionë njerëz, kurse Shqipëria ka një fabrikë çimentojë për çdo 300 mijë banorë, theksoi kreu i selisë rozë. / G.N.