Servet Pëllumbi: “Rrëzimi i qeverisë më 30 prill është naivitet”
Ish-kreu i Parlamentit të Shqipërisë dhe një prej personaliteteve të rëndësishme të së majtës, Servet Pëllumbi, e ka cilësuar rrëzimin e qeverisë më 30 prill nga opozita një naivitet. “Mosbindja qytetare para dy vjetësh në Francë, brenda një nate, dogji 20 mijë makina. Siç kam dëgjuar në televizor ndonjë politikan të së majtës fatkeqësisht që thotë se më 30 prill merr fund qeveria, më 30 prill merr fund korrupsioni, është naivitet”, - tha Pëllumbi. Përsa u përket ideve të programit të ri të socialistëve, Pëllumbi ka kritikat e tij për distancimin nga e majta. “Ajo që është e majtë duket sikur ka turp të thotë që është e majtë. Pse? Sepse nuk u referohet atyre shtresave, kategorive të njerëzve që janë të majtë dhe kërkojnë një program të majtë, nga vetë gjendja e tyre social-ekonomike. Po të jetë se partinë e ke parti në përgjithësi apo rreth një grupi njerëzish dhe pa referencë në hapësirat sociale, atëherë ajo nuk është parti në kuptimin e vërtetë të fjalës. Po të jetë se u drejtohesh zgjedhësve, votuesve, dhe jo shtresave që kanë nevojë për programin tënd, atëherë vetvetiu mos kërko të të votojnë dhe mos kërko që pse nuk më mbështesni”, - u shpreh Pellumbi.
26 Prill 2010