Xhaçka: “Meta të japë llogari pse nuk lëvizim pa viza”
Pas deklaratës së Metës ka reaguar dje Partia Socialiste nëpërmjet deputetes Olta Xhaçka. “Çdo dramë ka personazhin e vet komik dhe në dramën e sotme shqiptare të rrënimit të demokracisë e ekonomisë, këtë rol e ka marrë përsipër paterica e Sali Berishës, Ilir Meta. Do të ishte me interes që zoti Meta t’u tregonte shqiptarëve si ndodhi që as këtë verë nuk do të mund të lëvizim pa viza. Sa i takon transparencës së zgjedhjeve që zoti Meta, sigurisht, është frenues, frika e tij është e kuptueshme. Sikur 5 kuti të hapeshin në Ndroq, zoti Meta nuk do t’i duhej më as Sali Berishës”, - është shprehur Xhaçka.
Bregu në Kosovë: “Brenda qershorit merret vendimi për vizat”
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, me ftesë të ministrit të integrimit europian të Kosovës, zotit Besim Beqaj, zhvilloi një vizitë njëditore në Prishtinë, ku u takua me zyrtarët më të lartë të shtetit, me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e Integrimit Europian Beqaj, ministrin e administrimit të pushtetit lokal, si dhe me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrimin. Në takimin me presidentin Sejdiu, bashkëbiseduesit diskutuan për iniciativën e re të qeverisë së Kosovës për krijimin e Ministrisë së Integrimit Europian. Bregu i garantoi presidentit mbështetjen e saj personale, të Ministrisë që ajo drejton dhe të qeverisë shqiptare për të ndarë eksperiencën e proceseve të integrimit europian me qeverinë kosovare. Pas takimit me z.Sejdiu, ministrja Bregu u prit nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e informoi për fillimin e punimeve Morinë - Merdarë, si vazhdimi i rrugës së kombit Durrës - Kukës- Morinë. Bregu përshëndeti fillimin e punimeve të autostradës Morinë-Merdarë, duke theksuar se kjo rrugë do t’i shërbejë intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh, afrimit të Kosovës me Shqipërinë, vende të cilat kanë qenë dhe do të jenë modeli i fqinjësisë së mirë në rajon. Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, kryeministri Thaçi theksoi se Kosova është në pritje të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe është duke bërë përpjekjet maksimale për krijimin e regjistrit civil dhe prodhimin e pasaportave biometrike. Bregu u shpreh se Shqipëria vlerëson progresin e dukshëm që ka bërë Republika e Kosovës, që nga shpallja si shtet i pavarur, në ndërtimin e shtetit ligjor, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe afirmimin e saj në arenën ndërkombëtare. Më tej, ministrja Bregu pati një takim me homologun e saj, zotin Besim Beqaj, me të cilin nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për të gjitha çështjet që përfshin procesi i integrimit. Në konferencën e përbashkët për shtyp të zhvilluar pas takimit, dy ministrat e integrimit theksuan se ky memorandum bashkëpunimi, nxit zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e integrimit europian. Në përgjigje të pyetjes a do të përfundojë procesi i liberalizimit të vizave në Shqipëri brenda vitit 2010, ministrja tha se është tashmë e sigurt që vendimi për liberalizimin e vizave do të merret brenda muajit qershor.
26 Prill 2010