E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Dhuna në familje - pjesë e krimeve penale

09/03/2009  Kreu socialist takon gratë. Paraqet pjesë nga programi për barazinë gjinore

“Elementet ekstreme apo elementet e provueshme të dhunës në familje duhet t’i bëjmë pjesë të krimeve penale dhe këtë e konsiderojmë si detyrimin tonë”, - kështu u shpreh dje Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë një takimi të zhvilluar me forumin e gruas socialiste me rastin e 8 Marsit. Në fjalën e tij Rama ka bërë publik një pjesë të programit të PS-së për luftën kundër krimit në familje, ndërsa theksoi se në shumë prej vendeve të zhvilluara dhuna që lidhet me krimin në familje, trajtohet pikërisht përmes Kodit të Procedurës Penale. “Objektivi ynë do të jetë rritja e nivelit të frekuentimit të çerdheve dhe kopshteve në të gjithë vendin deri në 40 % për grup moshën 0-3 vjeç”, - vijoi më poshtë kreu socialist. Sipas tij, në Shqipërinë e shekullit të 21-të, në vitin 2009, janë mbi 50 % e grave shqiptare që, kur bëhen nëna, nuk e përfitojnë lejen e barrëlindjes sepse nuk janë mbuluar nga sigurimet. Në këtë kuadër, Rama tha se gratë për këtë arsye detyrohen ta braktisin foshnjën qysh në fillim për t’u rikthyer në punën e zezë apo në arë, ku duhet të ndjekin parmendën për shkak të varfërisë. “Unë dua të përsëris se pas 28 qershorit asnjë nënë shqiptare, në asnjë qendër apo periferi të vendit, në asnjë fushë apo mal, nuk do ta lëmë që për shkak të varfërisë të lërë foshnjën, por do ta mbajmë pranë foshnjës, duke ia mbuluar së bashku përfitimin nga barrëlindja. Ky është minimumi që një shoqëri e vetëdijshme mund të bëjë”, - tha kreu i PS-së. Sipas tij, sot nënat dhe fëmijët në Shqipëri janë më të dhunuara se 4 vjet më parë dhe shtimi i rasteve të dhunës ndaj tyre ka rezultuar gjithmonë e më tragjikisht, me raste në rritje të marrjes së jetës. “Janë të shumta rastet që lidhen me gra që sot janë prapa hekurave për shkak të veprimeve ekstreme ndaj burrave agresorë. Ashtu si kundër janë jo të pakta rastet që agresorët që kanë vrarë gruan apo vajzën janë liruar pas pak kohësh nën preteksin e gjendjes depresive”, - u shpreh Rama. Sipas tij, pa ndryshuar radikalisht në treguesit statistikorë të pjesëmarrjes së grave, jo thjesht dhe vetëm në politikë, por në sistemin ekzekutiv të këtij vendi, nuk mund të kemi as një pushtet legjislativ më të vetëdijshëm e më funksional dhe as një pushtet ekzekutiv më të vetëdijshëm për të garantuar sfidën që kemi përpara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›