E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Dibra është bërë Tiranë, investimet në veri flasin vetë

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se Shkodra flet vetë për atë se çfarë është bërë në këtë qytet, nga investimet në hyrje të Shkodrës te rrugët brenda në qytet, ndërsa renditi edhe investimet e tjera në infrastrukturë që janë bërë në veri të Shqipërisë.

Në përgjigjet e drejtpërdrejta me qytetarët, në rubrikën “Sy m’sy” në platformat sociale, Rama iu përgjigj komentit të një qytetareje që i kërkon të dijë se çfarë është bërë për Shkodrën.

“Unë them që Shkodra flet vetë, se çfarë kam bërë unë me Benet Becin dhe qeverinë. Boll të fillosh nga hyrja e Shkodrës dhe nuk ka nevojë fare as të pyesësh njeri, as të marrësh përkthyes, as të kërkosh guidë, thjesht lërja syve të shohin dhe të të thonë. Që nga hyrja e Shkodrës, e vazhdo nëpër Shkodër, ishte një qytet i zhytur në plehra dhe në zymti, do ta shohësh se çfarë është bërë apo e bëri koha”, tha Rama.

Një tjetër komentues shkruan në platformat sociale se sipas tij veriut i është vënë trau, Lezha është e mbytur nga trafiku, teksa kërkohen vota për të diskriminuar veriun.

Kryeministri i renditi qytetarit disa nga investimet në infrastrukturë të përqendruara në veri të vendit si rruga Shëngjin-Velipojë, një aks që është premtuar dhe pritur prej shumë vitesh, Thumanë-Kashar, Milot-Balldren që sipas Ramës fillon së shpejti me shpalljen e fituesit, pasi është një kontratë në proces.

“Po rruga që shkon deri në Vermosh është në veri apo në jug, po rruga e Thethit, po rruga e Arbrit, megjithëse Dibra është bërë Tiranë tani, po rruga e Lurës, po rruga e Komanit, po rruga e Dukagjinit dhe të gjitha këto janë akse strategjike për turizmin për të cilat është folur dhe s’është bërë kurrë asgjë të gjitha këto janë ose të bëra ose kantiere”, pohoi Rama, ndërsa shtoi se trafiku në Lezhë gjatë sezonit veror është një fenomen që ndodh edhe në vende të tjera ku ka turizëm të zhvilluar dhe masiv. Por, nënvizoi Kryeministri në Lezhë është i nevojshëm të bëhet bajpasi i Shëngjinit dhe projekti është gati dhe do të bëhet.

“Do të kemi një çlirim, por me gjithë këtë dyndje turizmi kështu ndodh edhe në vende të tjera me turizëm të zhvilluar dhe masiv”, tha ai.

Një tjetër komentues i thotë Kryeministrit që ka frikë zgjedhjet, ndaj bën cirk çdo ditë.

“I kam frikë se i kam fituar nëntë zgjedhje dhe kam humbur vetëm një me një marzh shumë të ngushtë. Ajo më ka trembur shumë”, vijoi Rama.

Qytetari i radhës në komentet e tij shkruan në platformat sociale se Rama kërkon t’i mbushë mendjen çyrykëve që pa të nuk ka Evropë dhe se as ai vetë nuk i beson ato që thotë.

“Unë besoj çdo gjë që të them ty, sepse po të mos besoja nuk do rrija një minutë këtu. Se nuk është se nuk bëj dhe punë të tjera dhe i besoj aq fort dhe për këtë arsye përballoj edhe këto lloj ngarkesash jo të vogla që të ulem të flas si njeri me njerëz që lëshohen këtu, por jeni pjesë e kësaj familjeje e këtij komuniteti shqiptar. Dhe juve duhet t’ju jap kohën të komunikoj, të përpiqem t’ju hap sytë për gjërat që i shihni me sytë e bufit të kënetës pastaj ju vendosni vetë. Pastaj, që unë i besoj me mish e me shpirt se ndryshe nuk do e gjeja dot fuqinë për t’u marrë me gjithë këto lloj llafesh dhe llumi”, pohoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›