E Martë, 3 Nëntor 2026

Bashkëpunimi detar, investitorë finlandezë vizitojnë portin e Durrësit

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Porti i Durrësit mirëpriti sot një delegacion të lartë biznesi nga Finlanda.

Ky grup përfaqësonte disa nga kompanitë më të njohura në industrinë detare finlandeze dhe vizita e tyre shënoi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të infrastrukturës portuale në vend.

Takimi u fokusua në prezantimin e projekteve zhvillimore të Portit të Durrësit dhe Porto Romanos, duke përfshirë sfidat dhe strategjitë për avancimin e ekonomisë detare.

Njëkohësisht, u diskutuan mundësitë për konsolidimin e marrëdhënieve tregtare me operatorët e porteve partnere, me theks të veçantë në integrimin e infrastrukturës portuale me rrjetet logjistike rajonale.

“Projektet zhvillimore, sfidat, strategjitë në drejtim të ekonomisë detare si dhe konsolidimi i marrëdhënieve tregtare me operatorët e porteve partnere, nën dritën e projekteve transformuese të infrastrukturës detare në kompleksin portual Durrës-Porto Romano, ishin dhe fokusi i këtij takimi”, bën të ditur Porti.

Në mbyllje të vizitës, delegacioni finlandez zhvilloi një tur në Qendrën e Shitjeve të Marinës Turistike të Durrësit, një projekt kyç për zhvillimin e turizmit detar dhe si një nga asetet kryesore të ekonomisë detare të Shqipërisë.

Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit detar në Shqipëri. /j.p/

1 nga 5

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›