Rama ndan foton: Veshja e re spektakolare e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Tirana Airport Partners, kompania që menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit po vijon investimet për transformimin, rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto të veshjes së re të fasadës së aeroportit, që sipas tij, qëndron në krye të listës, me rritjen më të lartë mes aeroporteve të Europës në vitet pas pandemisë.
“E gjeni dot çfarë është? Veshja e re spektakolare e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, e cila do ta mbështjellë të tërin si shembëlltyrën tërheqëse të Shqipërisë, Europës së Ballkanit”, tha ai.
Rama informoi se aeroporti shumë shpejt do të ketë gati edhe parkimin e ri nëntokësor për mbi 1 mijë mjete.
“Një shesh i madh e i bukur këmbësorësh në hyrje-daljen e aeroportit, së bashku me një parkim të ri nëntokësor për mbi 1000 automjete, do të jenë së shpejti në dispozicion të udhëtarëve e turistëve, të cilët e kanë bërë aeroportin tonë, kampionin e rajonit, me rritjen më të lartë mes aeroporteve të Europës në vitet pas pandemisë”, tha ai.
Shumë shpejt ky aeroport do mundësojë dhe kapacitetet për avionë të linjave transoqeanike për të bërë të mundur fluturime direkte drejt SHBA. /j.p/