Rama: Do ofrojmë libra dhe transport falas për nxënësit
Kryetari i PS, Edi Rama, ka zgjedhur kohën dhe vendin e duhur për të shpalosur programin e partisë së tij për arsimin. Ka qenë pikërisht 7 Marsi dhe "Mësonjëtorja e parë shqipe" që kanë sjellë në Korçë liderin socialist jo thjesht për një vizitë në muze, por edhe për të ndarë nga afër me arsimtarët e Korçës në oborrin e Mësonjëtores pikat e programit të kësaj force politike për arsimin kombëtar. Kryetari i PS-së, Rama ka thënë se ky program i detajuar mbi të gjitha synon krijimin e një modeli unik për sistemin arsimor shqiptar, që është pikërisht përfaqësimi me modelet evropiane. Ai tha se kjo është një ditë simbolike që lidhet me aspektet më delikate për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë, nisur nga fakti se sistemi arsimor sot kërkon një vëmendje të veçantë në një kohë që po kalon në një krizë të rëndë, të goditjes nga braktisja e shkollave dhe nga ana tjetër nga analfabetizmi. "Do të unifikojmë programet mësimore në një program të përafërt evropian, duke pasur në konsideratë domosdoshmërinë në të njëjtën kohë të unifikimit të modelit të programeve mësimore me Kosovën", tha Rama. Në fjalën e tij, kryetari i PS-së theksoi se "Do të hartojmë një testim kombëtar dhe do të ndërtojmë një sistem të përvitshëm vlerësimi për arsimin dhe formimin profesional. Beteja më e vështirë sot është ajo me injorancën, që po fiton terren në kushtet e hapësirës së dijes në vendin tonë, me një sistem të degraduar arsimi që nuk garanton asgjë për individin. Çdo vit e më shumë fëmijë braktisin shkollat dhe ky është bërë një problem kronik. Në kushtet e krizës, programi ynë ofron ide të qarta me paketë shkollore falas, që nga librat, mjetet shkollore dhe uniformat, por edhe transportin falas për ata fëmijë që detyrohen të ecin më shumë se 20 minuta në këmbë për të shkuar në shkollë". Në takimin me arsimtarët korçarë, Rama theksoi në Korçë se prioritet i Partisë Socialiste dhe programit të saj është përdorimi i efektshëm i burimeve njerëzore e financiare përmes riorganizimit të shpërndarjes së rrjetit shkollor, por edhe ofrimit të një modeli evropian të kualifikuar. Ai preku edhe nivelin e ulët të arsimit profesional në vend, ndërsa duke iu referuar statistikave nuk ka lënë të anashkaluar faktin se shumë fëmijë nuk dinë ende të shkruajnë e të lexojnë mirë gjuhën e tyre dhe se 50% e tyre braktisin arsimin e detyruar. Ai e quajti arsimin dhe investimin në të si politikën më të mirë ekonomike, që sjell zhvillim nëpërmjet individëve të kualifikuar. Nga ana tjetër, Rama theksoi se programi parashikon rritjen e kontributeve të buxhetit për arsimin të paktën 5% dhe një rivlerësim të figurës së mësuesit me krijimin e një fryme të re për arsimin këtë herë me ide të qarta, pas vetë kontakteve me arsimtarët gjatë turit të tij "Dialog me Shqipërinë" nga ku janë marrë edhe sugjerime. Sipas Ramës, ajo që e dallon këtë program nga qeveria e sotme është pikërisht vullneti. Po sërish në ditën e djeshme në Korçë është përkujtuar shkolla e parë shqipe. 122-vjetori i çeljes së Mësonjëtores së Parë Shqipe, vendi ku janë përqendruar të gjitha aktivitetet e 7 Marsit, një ditë simbol për arsimin kombëtar që do të niste pikërisht nga godina ku dyert e hapura kanë shpalosur jo vetëm historinë e shkollës së parë, dokumentet zyrtare, por edhe ekspozitat e koleksionistëve. Mijëra vizitorë që kanë kaluar këtë herë edhe kufijtë për të qenë në ambientet e godinës së shkollës së parë shqipe, kanë parë nga afër dhe janë njohur me faktet që mbahen të arkivuara, me klasat ku u mësua për herë të parë alfabeti i gjuhës sonë amtare.