Vullnetarët e G99, çdo të shtunë një aksion në lagjet e Tiranës
Grupi i vullnetarëve të G99 për komunitetin ia kushtoi paraditen e djeshme rehabilitimit dhe pastrimit të një sheshi lodrash në lagjen numër 4 pranë kryqëzimit të "Zogut të Zi". Të rinjtë, por dhe aktivistët e G99 si Erion Veliaj, Arbi Mazniku, Etjen Xhafaj dhe Olta Xhacka punuan për pastrimin e fushës së basketbollit dhe lulishtes së lagjes, si dhe zëvendësuan rrjetat e konsumuara të koshave të basketbollit dhe bënë meremetime të rrjetave rrethuese. Pas aksionit, aktivistët e G99 patën mundësinë të bisedonin me banorët e lagjes mbi nevojat e komunitetit, por dhe të organizonin një minikampionat basketbolli më fëmijët. Gjatë këtij aksioni, Veliaj tha se "është e trishtueshme që pas 18 vjetësh kemi vetëm shkatërrim dhe duhet të pastrojmë ne të rinjtë atë që kohërat e Berishës dhe Metës na kanë lënë pas". Sipas tij, duhet energji pozitive qytetare për të përballur energjinë negative të konventave budallaqe të mllefit për të cilat shpenzohen fonde pa fund. Këto fonde do të duheshin pikërisht për të rigjallëruar lagjet dhe jetën në komunitete. Do të jemi çdo të shtunë në aksione të tilla dhe mesazhi ynë sot është që puna vullnetare në komunitet nuk ka dalë jashtë mode.