E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedh telin elektrik, lë lagjen pa drita

Kapet i riu që shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike për dhjetëra banorë të Shkozetit në Durrës. Burimet policore bënë të ditur se arrestuan shtetasin Mirjan Hasanpapa, 27 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Shkozet, lagjen periferike të Durrësit. Hasanpapa u kap në flagrancë nga shërbimet e patrullës së përgjithshme të Komisariatit të Policisë së Durrësit me 1500 metra tel elektrik, që i kishte vjedhur në një zonë të lagjes së tij. Vjedhja e kabllos elektrike kishte lënë në errësirë mbi 20 familje të zonës. Në momentin e arrestimit, 27-vjeçarit iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale jo vetëm sasia prej 1500 metrash kabllo, por edhe një automjet tip "Ford Eskort" me targë DR 1193 A, të cilin autori e kishte pa dokumente pronësie. Ai akuzohet për veprën penale të vjedhjes dhe ndaj tij prokuroria e rrethit ka nisur hetimet edhe për raste të tjera vjedhjesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›