E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet automjeti i policit të Kakomesë

Një automjet i parkuar në qendër të fshatit Shënvasil është përfshirë nga flakët në orët e para të së shtunës. Motivet nuk bëhen ende të qarta, ndërkohë që është mësuar se pronari i tij shërben në policinë private "So Vip", që është pajtuar për të ruajtur kantierin e punimeve për fshatin turistik në Kakome. Automjeti ka qenë një kamion transporti dhe djegia ka përfshirë gjithçka, që nga kabina deri te gomat, duke e shndërruar vetëm në një skelet hekuri. Në Komisariatin e Policisë së Sarandës ka qenë tërësisht i rezervuar informacioni për mediat mbi këtë ngjarje, por është mësuar se automjeti ishte në pronësi të Fotaq Baxhakut, me detyrë polic shërbimi në kompaninë e policisë private "So Vip", e cila është në mbështetje të investimit për fshatin turistik në Kakome. Punonjësit e policisë private që ruan kantierin e Kakomesë janë përplasur shpesh me banorët e fshatit Nivicë, por kjo ka ndodhur vetëm në vendin e punës, gjatë protestave të banorëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›