Rama: Do ti tregojmë Berishës se si bëhet vendi
Vlorë- Në një takim jashtë axhende, të organizuar nga qytetarët vlonjatë, kryetari i PS-së, Edi Rama dhe deputetët e këtij qyteti janë shprehur të sigurt në fitoren e socialistëve në zgjedhjet e ardhshme. Fitore kjo që nuk duhet të vijë vetëm si pasojë e dëshpërimit social-ekonomik ku e ka zhytur vendin kjo qeveri, por do të jetë një fitore për të bërë të mundur ndryshimin përmes një programi realist dhe krejtësisht të zbatueshëm. Ai ka theksuar se me zgjedhjet e ardhshme Berishës nuk do t’i tregohet thjesht vendi, por se si bëhet vendi.
“Fitorja jonë e vitit të ardhshëm do të jetë një fitore e jashtëzakonshme, jo thjesht për faktin se ne do të mundim Sali Berishën, por për faktin se me fitoren e vitit 2009, ne do të fillojmë luftën me varfërinë, do të fillojmë luftën me papunësinë, do të fillojmë luftën me injorancën, me dhunën me korrupsionin”- tha Rama.
Rama ka theksuar se ne na duhet një Shqipëri, ku asnjë shqiptare dhe shqiptar të mos detyrohet të marrë detin me not apo me varkë, apo me skaf dhe të rrezikojë edhe jetën, po ku çdo shqiptar e shqiptare të mund të udhëtojë lirisht në Europë, si një europian dhe këtë ne do ta bëjmë.
“Ne jemi të vetëdijshëm që duhet ta ndërtojmë Europën këtu, në shtëpitë tona. Duhet ta ndërtojmë Europën në shkollat e fëmijëve tanë. Duhet ta ndërtojmë Europën në spitalet dhe në ambulancat tona. Duhet ta ndërtojmë europën në vendet e punës të të gjithë shqiptarëve të ndershëm që duan të jetojnë me punë të ndershme”- tha ai.
Duhet që t'i japim fund Shqipërisë së izoluar, ka thënë më tej ai, duke shtuar se duhet që t'i japim fund poshtërimit nëpër çdo pikë kufitare, ku na duhet të tregojmë pasaportën e damkosur nga politika e vjetër, e cila ka shkatërruar imazhin tonë.
Të gjithë pavarësisht se janë socialistë dhe demokratë, sipas Ramës, kur është fjala për njerëzit e thjeshtë, kur është fjala për njerëzit që e nxjerrin bukën me punë dhe me mund, kur është fjala për njerëzit që sakrifikojnë dhe që mbijetojnë falë kursimeve të fëmijëve të tyre emigrantë, kur është fjala për njerëzit që shkojnë në të njëjtin spital, ku nuk ju bëjnë as analizat, që çojnë fëmijët në të njëjtën shkollë, ku nuk ka dyer dhe dritare, është fjala për shqiptare dhe shqiptarë që duhet të bashkohen përtej ndarjeve që kanë vendosur politikanët, për politikën e politikanëve, për interesat e politikanëve, për punët e politikanëve që nuk janë punët tona.
Sipas tij, nuk është nevoja që çdonjëri të bëhet politikan, por është nevoja që çdonjëri të marrë pjesë në procesin politik. Sa më pak qytetarë të merren me politikë, aq më shumë njerëz do ta pësojnë nga politika. Sa më shumë qytetarë të merren me politikë aq më shumë politika do t'i dëgjojë dhe do t'i respektojë ata.
“Nuk na mjafton që duke shfrytëzuar zhgënjimin e madh që të gjithë ju dhe të gjithë shqiptarët kanë me Sali Berishën ne të bëjmë një listë me të gjitha dëshirat, nevojat tuaja dhe të vijmë t'ju marrim votën. Madje, jo vetëm nuk na mjafton, por nuk na duhet kjo. Ne na duhet që të premtojmë vetëm ato që do të bëjmë dhe të bëjmë çdo gjë që premtojmë. Për të gjitha këto na duhet një program dhe ne duam që të nesërmen e fitores çdo njëri nga ata që do ulen për të realizuar premtimet të ketë përpara programin, që nuk është një libër premtimesh, por është rruga e realizimit të premtimeve”- tha kreu i PS-së, duke premtuar se Berishës nuk do t’i tregohet vendi, për si bëhet vendi.