E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Drejtësia sot e pavarur, po s’garanton demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së, bëri të ditur se PS do të nisë një proces të kombinuar të komunikimit intensiv në gjithë territorin si dhe organizimin tërësor të partisë, si domosdoshmëri për vet procesin zgjedhor, në funksion të zgjedhjeve vendore që do të mbahen në 2027.

Rama tha se sot hyjnë në një fazë të re të punës për zgjedhjet e ardhshme, të cilat sipas tij, “duke u nisur dhe nga analizat e bëra dhe nga forcat që do të kemi në terren, kemi të gjitha arsyet të besojmë se do të jemi me një rezultat edhe më të mirë se zgjedhjet e shkuara”.

Kreu i qeverisë kërkoi që procesi të jetë i hapur, ndërsa theksoi se duhet një përballje në të gjithë “territorin me të gjitha të vërtetat tonat për punët për Shqipërinë”.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal tek reforma në drejtësi. Ai shtoi se “është e rëndësishme të adresojmë tema që marrin rëndom drejtime të paditura, nëse lihen në rrjedhën e lirë të furnizimit dhe të vlimit të 700 tenxhereve politike dhe mediatike”.

“Duke filluar nga tema e drejtësisë, ku askush dhe për asnjë arsye nuk mundet dot që të na vërë në diskutim lidershipin si forcë politike, vullnetin si shumicë qeverisëse dhe vendosmërinë si trup udhëheqëse e Shqipërisë, në raport me gjithçka që ka ardhur pas kalimit të reformës në drejtësi dhe gjithçka që presim të vij më tej”, tha Rama.

Rama theksoi se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike e cila është tërhequr plotësisht nga territori i pushtetit gjyqësor.

“Ne kemi bërë të që nuk ka bërë askush, dhe jo vetëm nuk e ka bërë askush por nuk kanë marrë guximin ta parafytyroj askush para se në të merrnim mandatin e parë. Kemi hapur një shteg historik për drejtësinë dhe e kemi hapur, duke u tërhequr plotësisht nga territori i pushtetit gjyqësor. Sot askush nuk mund të tregojë fakte, se me fjalë dhe spekulime, me qëllime të liga gjithkush mund ta thotë, por me fakte, askush nuk mund ta tregojë se ku lidhet dhe si lidhet pushteti politik dhe pushteti ekzekutiv së bashku me legjislativ si shprehje e pushtetit politik, me të gjithë proceset e brendshme të sistemit të drejtësisë, që kanë të bëjnë me emërimet, inspektime dhe shkarkimet.

“Ne nuk kemi asnjë pushtet me kapacitetin për të ndërhyrë në këtë zinxhirë, dhe nëse nuk ke kapacitet për të ndërhyrë në këtë zinxhirë, siç ka ndodhur në të gjithë historinë, para se ne të merrnim përsipër këtë qasje rrënjësisht të re atëherë nuk ke sesi të kesh e lëre më pas të akuzohesh për kontroll mbi pushtetin gjyqësor”, tha Rama.

Sipas tij, askush nuk mund të japë fakte sot për mungesën e pavarësisë së drejtësisë.

Kryeministri tha se “drejtësia sot është e pavarur dhe kjo është pak, sepse një drejtësi e pavarur nuk është e mjaftueshme për të garantuar një demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës, pasi drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe profesionale, dhe në këto të tjerat ka shumë për të bërë akoma, aq më tepër që drejtësia jonë është pavarësuar në një shtrat të përgjakur dhe të ndryrë të drejtësisë që për 100 e kusur vite nuk ka qenë as e lirë as e pavarur, e paanshme jo e jo”.

Rama theksoi se PS ia ka dorëzuar shpatën pushtetit gjyqësor, teksa përmendi edhe qeverinë e sistemit të drejtësisë.

“Prandaj shumëçka që nuk shkon, më vjen keq ta them për ata që e kërkojnë nga ne, dhe me vjen mirë të them për ata që na akuzojnë ne, nuk ka të bëjë fare me ne. Sepse ne e kemi dorëzuar shpatën e pushtetit gjyqësor tek pushteti gjyqësor. Ne kemi qeverinë e vendit, por nuk kemi qeverinë e sistemit të drejtësisë. Ajo përbëhet nga Këshillat e gjyqësorit, Këshillat e Prokurorisë, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, dhe në këtë drejtim ne jemi këtu vetëm për të bërë durim të madh, durim strategjik në funksion të gjithë vizionit tonë për transformimin e drejtësisë”, tha Rama.

Kreu i PS-së deklaroi se nuk ka pasur kurrë iluzion që reformat, veçanërisht ajo në drejtësi, do të jepnin rezultate të menjëhershme. Sipas tij, ndërtimi i institucioneve demokratike është një proces i gjatë që kërkon më shumë kohë sesa zhvillimi i një individi, duke theksuar se këto institucione nuk mund të konsolidohen brenda një periudhe të shkurtër.

Rama u shpreh se, nëse reforma në drejtësi do të ishte ndërmarrë dekada më parë, vendi sot do të ishte në një stad tjetër zhvillimi dhe shtoi se reforma në drejtësi dhe pavarësimi i saj do të mbeten në histori si arritje kyçe e PS-së.

“Një gjë dua të përsëris, fjala e mençur e fqinjëve tanë nga ana tjetër e Adriatikut, që thotë bebja nuk mund të hidhet poshtë bashkë me ujin e pistë duhet të na udhëheqë në gjithë këtë rrugë, ku durimi ynë duhet të jetë heroik përballë gjithë llumit që na vjen nga të katërt anët lidhur me diçka për të cilën nuk kam asnjë dyshim historia do të mbajë mend vetëm një emër PS-në e Shqipërisë. Do të mbaj mend vetëm një kohë këtë kohë të reformës dhe të pavarësimit të drejtësisë të gjitha të tjerat do ti marrë era. Në këtë kohë ne jemi PS dhe duhet të vazhdojmë të përballemi me llumin që vjen nga të katërta anët drejt nesh me gjithfarë akuzash dhe shprehesh të barbarisë që karakterizon një periudhë kur demokracia është ende një qenie në formim e sipër dhe jo plotësisht e formuar”, tha Kryeministri Rama.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›