Ratko Mladiç ekstradohet në Gjykatën e Hagës
Autoritetet serbe kanë ekstraduar ish-gjeneralin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, në Tribunalin e Hagës, ku do të përballet me akuzat për gjenocid, krime të luftës dhe akuza të tjera që rrjedhin nga roli i tij në luftërat e Ballkanit në vitet '90. Ekstradimi pason një vendim të gjykatës, të 27 majit, i cili deklaroi se 69-vjeçari mund të ekstradohej në gjykatën ndërkombëtare me seli në Holandë, me gjithë kundërshtimet e avokatit dhe të afërmve të tij, se ai ishte në gjendje shumë të dobët shëndetësore për t’u përballur me procesin gjyqësor. Mlladiç ka kaluar afër 16 vjet në arrati, para se të kapej më 26 maj në një fshat verior serb. I arratisuri më i kërkuar i Tribunalit të Hagës, akuzohet për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për shkak të rolit që luajti në vrasjen e rreth 8 mijë burrave dhe djemve muslimanë në Srebrenicë, si dhe për rrethimin e përgjakshëm katëvjeçar të Sarajevës. Masakra e Srebrenicës e vitit 1995 konsiderohet të ketë qenë masakra më e rëndë e kryer në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Duke njoftuar për ekstradimin, Maloviç tha se Serbia e ka përmbushur obligimet e saj morale dhe ndërkombëtare. “Me ekstradimin e Ratko Mlladiç-it në Hagë, Serbia ka përmbushur obligimin ndërkombëtar dhe moral dhe ne kemi dëshmuar se i përmbushëm përkushtimet tona. Veprimi ynë paraqet konfirmimin e qartë se Serbia është e përkushtuar sinqerisht për të përmbyllur bashkëpunimin e saj me Tribunalin e Hagës”, tha Maloviç. Për vite të tëra, ekspertët kanë thënë se fraksionet ultranacionaliste brenda Serbisë po e strehonin Mlladiç-in. Ai ende konsiderohet hero nga disa, përfshirë edhe serbin e Bosnjës, Nenad Batkoviç, një ish-ushtar gjatë luftërave të Ballkanit, i cili iu bashkua mijëra mbështetësve të Mlladiç-it në një tubim në Banja Llukë, kryeqyteti i entitetit serb të Bosnjës. Arrestimi i Mlladiç-it për një kohë të gjatë është deklaruar nga zyrtarët europianë si parakusht për Serbinë, që të arrijë integrime të tjera europiane. Pasi forcat speciale serbe e zunë Mlladiç-in javën e kaluar, komisioneri i BE-së për Zgjerim, Shtefan Fyle, tha se arrestimi e hoqi një pengesë të madhe nga rruga e Serbisë për në Bashkimin Europian. Ndërsa prokurorët ndërkombëtarë thonë se ka prova të mjaftueshme për të dënuar Mlladiç-in, zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Nerma Jelaçiq, i tha Reuters-it se procedurat e gjykatës janë të komplikuara. Ndërsa Tribunali po përgatitet që të dëgjojë rastin, shumë çështje mbesin të paqarta në Serbi, sesi Mlladiç-i ia doli që t’i ikë kapjes për kaq kohë të gjatë.