Ismali: Kërkesat e PS për reformën zgjedhore
Bashkëkryetari socialist Islami bëri publike pesë pikat e paketës së PS-së për reformën zgjedhore
TIRANË- Partia Socialiste ka gati një paketë për reformën zgjedhore, e cila përmban pesë pika kryesore mbi të cilat do të përqendrohen socialistët në diskutimet me Partinë Demokratike, por edhe me aleatët e tyre të majtë. Bashkëkryetari socialist i komisionit të reformës zgjedhore, Kastriot Islami tha dje se, pa realizimin e projektit të socialistëve nuk ka zgjedhje në vitin 2009 dhe nëse dështojnë përpjekjet për realizimin në kohë të reformave, atëherë përgjegjësia do të jetë e mazhorancës. Në një prononcim për mediat, Islami bëri publike pesë pikat e paketës së PS-së për reformën zgjedhore, që lidhen me kartat e identitetit, listat e zgjedhësve, fenomenin e dushkut, renditjes së kandidatëve dhe pragut elektoral. “Jo zgjedhjeve pa karta identiteti, jo zgjedhjeve pa lista zgjedhore të dala nga regjistri civil i kompjuterizuar, jo fenomenit të dushkut, jo renditjes së kandidatëve në lista pas zgjedhjeve dhe jo pragut më të vogël se sa 2.5 për qind. Fillimisht do të bëhet një konsultë me aleatët, përmes këtij dokumenti parimor që është bërë publik tani edhe nga kryetari i PS-së, Edi Rama dhe pastaj do të kalohet, qoftë në një bashkëveprim me pjesën tjetër të spektrit, në mënyrë të veçantë më Partinë Demokratike, e cila ka të drejtën e vetos dhe kjo reformë nuk mund të realizohet pa angazhimin dhe pjesëmarrjen e tyre, dhe pastaj do shkohet në komision”,- është shprehur dje bashkëkryetari i komisionit të posaçëm. Ndërsa ka sqaruar pikat e paketës së PS-së për reformën zgjedhore, Kastriot Islami thotë se socialistët kanë shfaqur vullnetin për realizimin e saj, si dhe atë në drejtësi, dhe nëse procesi nuk do të ecë përpara, atëherë përgjegjësia do të bjerë mbi mazhorancën.