Rama: E drejta për të votuar, e kërcënuar
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh dje gjatë një takimi në fshatin Priskë, se e drejta kushtetuese për të votuar po kërcënohet. Rama bëri sërish apel që qeveria të reflektojë për të dhënë karta identiteti falas, si e vetmja rrugë që të lehtësojë të gjithë të varfrit për të aplikuar. Në takimin me banorë të Priskës, Rama dëgjoi prej tyre mjaft dëshmi të familjeve me numër të madh pjesëtarësh të papunë apo në pension, të cilët janë shprehur se e kanë fare të pamundur të pajisen me letërnjoftime. "Unë jam familje me 6 pjesëtarë që votojnë, me një fjalë më duhen 6 karta, i thonë 72 mijë lekë, por s‘kam mundësi që t‘i marr. Ku t‘i marr ato lekë, jam pa punë?!" - u shpreh një prej banorëve. Ndërsa një tjetër banor bëri thirrje për Kryeministrin që të marrë masa për të pajisur të gjithë njerëzit me karta pa lekë. Pas këtyre shqetësimeve, kreu i PS-së u shpreh se në të gjithë Shqipërinë, varfëria dhe papunësia janë ulur këmbëkryq në çdo familje, veçanërisht në fshat. "Varfëria dhe papunësia e bëjnë të pamundur blerjen e kartës, që deri më 28 qershor është një e drejtë. E drejta e votës nuk blihet, e drejta e votës është një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutë nga populli sovran dhe as mund ta shesë qeveria të drejtën, ashtu siç shet një shërbim", deklaroi Rama. Gjatë bashkëbisedimit, kreu socialist theksoi qëndrimin se zgjedhjet janë shprehje e vullnetit të popullit, që duhet të shfrytëzojë këtë të drejtë, pavarësisht se sa mundësi ka për të blerë një kartë identiteti. "Ditën e zgjedhjeve, qytetaret dhe qytetarët janë të barabartë, qofshin të pasur, qofshin të varfër, qofshin në punë, qofshin të papunë. Për ne, kjo është themelore", këmbënguli Rama. Ai vuri në dukje se e drejta e votës është një e drejtë themelore, që po kërcënohet nga kjo qeveri, e cila e ka taksuar atë. Rama, gjatë bashkëbisedimit me banorët e Priskës, u shpreh se qeveria duhet të reflektojë sa më parë për të hequr taksën mbi votën.